Analisti politik Edvin Kulluri ka komentuar ashpër situatën e tensionuar brenda Partisë Demokratike, duke hedhur poshtë pretendimet e lidershipit aktual se deputeti Ervin Salianji është “vetëpërjashtuar” nga partia.
Gjatë një interviste televizive, Kulluri u shpreh se ky pretendim është i pabazuar dhe tregon një krizë serioze politike dhe organizative brenda forcës më të madhe opozitare. “Nuk e di nga e kanë shpikur vetëpërjashtimin, është marrëzi. Nuk di që Salianji të ketë përjashtuar veten”, deklaroi ai.
Analisti iu referua edhe akuzave të bëra nga Sali Berisha dhe Flamur Noka, sipas të cilave takimi i zhvilluar në Elbasan ishte organizuar nga Salianji në bashkëpunim me krimin e organizuar. Sipas Kullurit, akuza të tilla janë bërë edhe më parë brenda Partisë Demokratike, duke përmendur se Gazment Bardhi ka ngritur dyshime për takime të Berishës në Elbasan.
“Bardhi sot fut kokën si struci poshtë tavolinës dhe nuk thotë qartë kush është takuar me krimin e organizuar në Elbasan, Berisha apo Salianji. Me llafe kafeneje nuk bëhet politikë, mund të sajojë kushdo”, u shpreh Kulluri.
Ai kërkoi transparencë dhe prova konkrete nga drejtuesit e Partisë Demokratike, duke theksuar se në mungesë të tyre akuzat janë të pabazuara. “Nëse ka prova, t’i bëjnë publike. Në të kundërt, duhet të japin dorëheqje së bashku me Salianjin”, përfundoi analisti.
