Sulm me bombë gjatë namazit në një xhami në Siri, 6 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur

Data

Të paktën 6 persona kanë humbur jetën dhe 21 të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me bombë që goditi një xhami në qytetin e Homsit, qyteti i tretë më i madh i Sirisë, gjatë namazit të së premtes.

Sipas mediave shtetërore siriane, shpërthimi ndodhi në xhaminë Imam Ali ibn Abi Talib, e cila ndodhet në lagjen Wadi al-Dhahab, një zonë kryesisht e banuar nga komuniteti alevit. Pamjet nga vendngjarja tregojnë qilima të mbuluar me gjak, vrima në mure, dritare të thyera dhe dëme të shkaktuara nga zjarri brenda objektit të kultit.

Burime të sigurisë kanë bërë të ditur se hetimet paraprake tregojnë se brenda xhamisë ishin vendosur pajisje shpërthyese. Forcat e sigurisë kanë rrethuar zonën dhe kanë vendosur një kordon sigurie, ndërsa vijon kërkimi për autorët e sulmit.

Ministria e Brendshme siriane njoftoi se po kryhen hetime intensive për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e përgjegjësve. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi grupin apo individët që mund të kenë kryer sulmin.

Ngjarja ndodh në një periudhë të ndjeshme për Sirinë, ku tensionet sektare, etnike dhe politike janë rritur sërish javët e fundit. Edhe pse luftimet në shkallë të gjerë janë ulur, vendi vazhdon të përballet me pasiguri dhe incidente të dhunshme, pas ndryshimeve të mëdha politike që pasuan rrëzimin e regjimit të Bashar Assad vitin e kaluar.

Sulmi në Homs konsiderohet një nga incidentet më të rënda të muajve të fundit dhe ka rikthyer frikën për destabilizim të mëtejshëm të situatës së sigurisë në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related