Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme këtë të diel, pas një viti krize politike që pasoi pamundësinë për të ndërtuar një qeveri funksionale nga zgjedhjet e kaluara. Një dështim formal institucional, por jo domosdoshmërisht politik për Albin Kurtin. Përkundrazi, kjo krizë e ka nxjerrë figurën e tij edhe më qartë në pah.
Kurti hyn në këto zgjedhje si lideri më i kundërshtuar, më i sulmuar, por edhe më i pashmangshëm në skenën politike kosovare. Nuk ka debat serioz për Kosovën ku emri i tij të mos jetë në qendër. Nuk ka tryezë rajonale ku të mos konsiderohet faktor. Dhe nuk ka lider tjetër në hapësirën shqiptare që të ketë ndërtuar një profil kaq të fortë politik, shpesh përtej pushtetit formal.
Në një rajon ku shumica e liderëve janë shoqëruar ndër vite me akuza për korrupsion, klientelizëm apo afera të heshtura, Kurti përbën një përjashtim të rrallë. Ai mbetet ndër figurat e pakta politike pa skandale personale apo financiare, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin. Ky fakt nuk është rastësi, por pasojë e një profili politik që ka refuzuar në mënyrë sistematike pazaret, kompromiset e errëta dhe aleancat e ndërtuara mbi interesa të dyshimta.
Pikërisht ky integritet personal e ka bërë Kurtin njëherazi të besueshëm për një pjesë të madhe të shoqërisë dhe problematik për një sistem politik të mësuar me marrëveshje nën tavolinë. Kriza e vitit të fundit nuk ishte vetëm krizë e Kurtit; ishte krizë e një sistemi që nuk arriti të bashkëjetojë me një lider që nuk qeveris për hir të pushtetit dhe që nuk ndërton shumica përmes pazareve.
Në një rajon ku “stabiliteti” shpesh blihet me lëshime dhe heshtje, Kurti zgjodhi përplasjen e hapur dhe qëndrimin frontal. Ai ndryshoi gjuhën e pushtetit në Kosovë, duke vendosur sovranitetin dhe dinjitetin në qendër të diskursit politik, edhe kur kjo solli kosto të larta politike dhe diplomatike. Ai sfidoi ndërkombëtarët kur mendoi se kërkesat e tyre cenonin interesin shtetëror dhe pranoi izolimin si çmim për koherencën e brendshme.
Kjo e bën Kurtin një lider të vështirë për t’u menaxhuar, por edhe të pamundur për t’u injoruar. Ai nuk është i parashikueshëm dhe nuk funksionon sipas logjikës tradicionale të pushtetit ballkanik.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit nuk janë thjesht një votë për një qeveri të re. Ato janë një referendum për një stil lidershipi: ose e pranon, ose e refuzon, por nuk mund ta shpërfillësh. Albin Kurti hyn në këtë garë jo si produkt i krizës, por si simbol i saj – dhe njëkohësisht si alternativa që vazhdon të trazojë ujërat politike në Kosovë dhe më gjerë.
