“Berberi dhe Balluku më bënë presion” – Dëshmia e vartëses së zv.kryeministres në SPAK për tenderin e Tunelit të Llogarasë

Data

Është zbardhur dëshmia e dhënë në Prokurorinë e Posaçme nga Mirzeta Kashnica, vartëse e zv.kryeministres Belinda Balluku, e cila ka deklaruar se është vënë nën presion për të firmosur procedurat e tenderit për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.

Sipas dëshmisë së saj, në procedurën e parë të prokurimit – e cila më pas u anulua – ajo ishte pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe kishte arritur në përfundimin se operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. i përmbushte kriteret ligjore dhe duhej të shpallej fitues. Ky qëndrim, Kashnica thotë se ia kishte komunikuar me email anëtarëve të tjerë të komisionit dhe Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë.

Por, sipas saj, menjëherë pas dërgimit të emailit, pa u mbyllur ende procesi i vlerësimit në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, ajo është telefonuar nga ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, i cili i ka kërkuar të mos shprehej me shkrim dhe i ka bërë të qartë se procedura do të anulohej.

Në dëshminë e saj, Kashnica shprehet se procesverbali i datës 18 mars 2021, me të cilin u anuluan të gjitha ofertat, është firmosur prej saj nën trysni. Ajo ka deklaruar se Berberi jo vetëm ishte anëtar i komisionit, por edhe personi që diktonte vendimmarrjen brenda tij.

Në vijim, Kashnica ka treguar se edhe në procedurën e rishpallur për ndërtimin e tunelit, anëtarët e tjerë të komisionit merrnin vendime pa të dhe e intimidonin vazhdimisht për shkak të qëndrimeve të saj kundërshtuese.

Pas kësaj dëshmie, SPAK deklaron se ka prova se edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku ka ushtruar presion ndaj vartëses së saj. Sipas Prokurorisë së Posaçme, këto veprime janë dokumentuar përmes përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe përbëjnë një nga arsyet kryesore për të cilat është kërkuar autorizimi për arrestimin e Ballukut.

SPAK thekson se presioni ndaj dëshmitarëve përbën rrezik serioz për procesin hetimor dhe cenon rëndë integritetin e drejtësisë, duke e konsideruar këtë element si një faktor kyç në vlerësimin e masave të sigurisë ndaj zyrtares së lartë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related