Gazetari Artan Hoxha ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me hetimet për skandalin e AKSHI-t, duke theksuar se pamjet e regjistruara nga kamera e fshehtë në zyrën e Ergys Agasit kanë zbuluar realitetin e errët të funksionimit të pushtetit dhe kontrollit mbi institucionet kyçe të shtetit.
Sipas Hoxhës, ajo që për vite me radhë ishte artikuluar si akuzë politike – se AKSHI ishte kthyer në një strukturë private pushteti – tashmë është provuar me fakte konkrete. Ai theksoi se publiku ka parë vetëm një pjesë minimale të materialeve të sekuestruara, ndërkohë që ekzistojnë dhjetëra dosje dhe regjistrime të tjera që ende nuk janë bërë publike.
“Po të mos ishte kamera e vendosur nga vetë Agasi, sot nuk do ta dinim çfarë ndodhte brenda atyre zyrave. Ajo kamerë na ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm. Nëse do ta kishim vendosur ne, nuk do ta lejonin kurrë. Por ata e kishin vetë dhe sot është hapur vetëm një folder nga shumë të tjerë”, u shpreh Hoxha.
Ai shtoi se materialet e regjistruara kanë dhënë një volum të jashtëzakonshëm provash dhe detajesh, të cilat kanë konfirmuar gjithçka që është denoncuar deri më sot për kapjen e pushtetit dhe funksionimin e sistemit.
Gazetari ngriti pikëpyetje serioze edhe mbi aksesin në të dhënat shtetërore, veçanërisht pas kalimit të Kadastrës në platformën e-Albania. Sipas tij, problematikat e shumta me mbivendosjet e pronave nuk kanë qenë rastësore, por rezultat i ndërhyrjeve të personave që kishin akses të plotë në sistem.
“Kur të dhënat e Kadastrës kaluan online, a e di kush i bënte mbivendosjet? Kush kishte akses të fuste hundët atje? Këto janë pyetje që sot marrin përgjigje”, theksoi Hoxha.
Në përfundim, ai nënvizoi se pamjet dhe provat e dala nga hetimi tregojnë qartë se sa thellë ishte kapur sistemi dhe se pa këtë material filmik, e gjithë kjo skemë do të kishte mbetur e fshehur.
