Policia e Shkodrës ka finalizuar një operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim, duke arrestuar një 25-vjeçar dhe duke shpallur në kërkim një tjetër shtetas.
Në pranga është vënë shtetasi me inicialet S. C., 25 vjeç, banues në Shkodër, ndërsa është shpallur në kërkim B. B., 39 vjeç, gjithashtu banues në Shkodër. 25-vjeçari ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ai akuzohet për veprat penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”, si dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Operacioni policor, i koduar “Livadhet”, u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër, Forcat e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, bazuar në informacione të siguruara për vendndodhjen e personave në kërkim.
Gjatë kontrolleve të mëparshme, më datë 29 prill 2025, në zonën e quajtur Livadhet e Kirasit, në lagjen “Guerile”, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatike, municion luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, si dhe një automjet tip Toyota Hilux, pa targa, i fshehur rreth 100 metra larg. Pas verifikimeve, automjeti rezultoi i vjedhur në qytetin e Durrësit.
Policia njofton se vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre dy personave. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Shkodrës për veprime të mëtejshme.
