Një moment i pazakontë ka ndodhur gjatë urimeve për Krishtlindje në Shkodër, ku prefektja e qarkut, Holta Duda, është bërë lëmsh gjatë deklaratës së saj për mediat.
Ashtu si shumë zyrtarë qendrorë dhe lokalë, edhe prefektja e Shkodrës kishte zgjedhur të vizitonte një nga kishat e qytetit për të uruar besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjes. Pas vizitës, ajo doli përpara gazetarëve për të përcjellë mesazhin e saj festiv.
Megjithatë, deklarata nuk shkoi sipas pritshmërive. Gjatë fjalës së saj, prefektja u ngatërrua dhe e ndërpreu mesazhin, duke kërkuar ndjesë dhe duke e rinisur urimin nga e para. Situata u bë edhe më e sikletshme kur gazetarët i kujtuan se deklarata po transmetohej drejtpërdrejt.
“Sot të gjithë bashkë mblidhemi të gëzojmë lindjen e Krishtit, ashtu siç ylli ndriti në zemrat e të gjithë popujve në tokën e shenjtë atë natë kur lindi Krishti bebe, ashtu edhe unë sot në emër të gjithë… ju lutem edhe njëherë më falni…”, u shpreh prefektja, duke ndalur fjalën dhe duke u përpjekur ta rifillojë mesazhin e saj.
Momenti u shoqërua me emocione të dukshme nga ana e saj, ndërsa pranë prefektes ndodhej edhe deputetja socialiste e qarkut Shkodër, Marjana Koçeku.
Ngjarja u transmetua live dhe u komentua menjëherë në rrjetet sociale, ku shumë qytetarë e panë situatën si një moment njerëzor, ndërsa të tjerë e kritikuan për mungesë përgatitjeje në një dalje publike.
