“Evis Berberi më bëri presion” – Zbardhet dëshmia në SPAK: Vartësja e Ballukut u detyrua të firmoste për tenderin e Tunelit të Llogarasë

Data

Është zbardhur dëshmia e dhënë në Prokurorinë e Posaçme nga Mirzeta Kashnica, vartëse e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila ka deklaruar se është detyruar të firmosë dokumentacionin për tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, pas presionit të ushtruar ndaj saj nga ish-kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi.

Sipas dëshmisë, në procedurën e parë të prokurimit për ndërtimin e tunelit, e cila më pas u anulua, Kashnica ishte anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe kishte vlerësuar se operatori ekonomik “Gjoka Konstruksion” sh.p.k. i përmbushte kriteret ligjore dhe duhej të shpallej fitues.

Ajo ka deklaruar se këtë qëndrim ua kishte komunikuar me email anëtarëve të tjerë të komisionit, duke vënë në dijeni edhe Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë. Por, sipas saj, menjëherë pas dërgimit të emailit dhe pa u mbyllur ende procedura në sistemin e Agjencisë së Prokurimit Publik, ajo është telefonuar nga Evis Berberi, i cili i ka kërkuar të mos shprehej me shkrim.

Në dëshminë e saj, Kashnica shpjegon se Berberi i ka bërë me dije se procedura do të anulohej, me arsyetimin se asnjë nga operatorët ekonomikë nuk i përmbushte kushtet, pavarësisht vlerësimit të saj profesional.

Në lidhje me procesverbalin e datës 18 mars 2021, ku u vendos anulimi i të gjitha ofertave, Kashnica ka deklaruar se ka firmosur dokumentin pasi është trysnuar nga Evis Berberi për të vijuar procedurën sipas drejtimit të tij.

Ajo ka pohuar gjithashtu se Berberi ishte personi që diktonte vendimmarrjen brenda komisionit dhe se, në procedurën e rishpallur të prokurimit për Tunelin e Llogarasë, anëtarët e tjerë të komisionit i kishin marrë vendimet paraprakisht mes tyre dhe ushtronin presion ndaj saj për qëndrimet që mbante.

Sipas SPAK, nga hetimet dhe përdorimi i metodave speciale të hetimit, kanë rezultuar të dhëna se edhe ministrja Belinda Balluku ka ushtruar presion ndaj vartëses së saj, në një kohë kur ishte njohur me akuzën dhe ushtronte ende detyrën si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Prokuroria e Posaçme thekson se ekzistojnë indicie për intimidim të dëshmitarëve, çka përbën një nga arsyet kryesore për kërkesën drejtuar Kuvendit për autorizimin e arrestimit të ministres.

Në dosjen hetimore thuhet se presioni ndaj dëshmitarëve është dokumentuar dhe se ekziston rreziku real i ndikimit në procesin e drejtësisë, nëse personat nën hetim vijojnë të qëndrojnë në pozicione pushteti.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related