Policia italiane ka publikuar pamje dhe materiale hetimore që zbulojnë aktivitetin kriminal të një bande shqiptare të njohur si “skifterët”, e cila kishte kthyer në makth qytetarët në Verona dhe zona të tjera përreth.
Grupi kriminal, i përbërë nga katër shtetas shqiptarë të moshës 25–28 vjeç, vepronte me një skemë të mirëorganizuar dhe shumë të shpejtë, duke realizuar grabitje banesash brenda pak minutash. Katër anëtarët u arrestuan pas dy vjedhjeve të kryera më 19 dhjetor, ndërsa hetuesit dyshojnë se ata janë përgjegjës edhe për shumë raste të tjera të ngjashme.
Sipas hetimeve, banda përdorte teknikën e kacavjerrjes nëpër ballkone dhe kate të sipërme, duke u ngjitur me litarë improvizuar, madje edhe me çarçafë. Pasi hynin në banesa, hapnin me forcë dritaret dhe brenda pak minutash kthenin shtëpitë përmbys në kërkim të parave, bizhuterive dhe sendeve me vlerë.
Një nga aspektet më alarmante ishte mënyra profesionale me të cilën shkulnin kasafortat. Ato nxirreshin tërësisht nga muret dhe hapeshin më pas me pajisje të specializuara. Gjatë grabitjeve, anëtarët e bandës komunikonin vazhdimisht me bashkëpunëtorët e tyre përmes radiove, duke koordinuar lëvizjet dhe arratisjen.
Krimet zgjasnin nga 5 deri në 15 minuta, kohë e mjaftueshme për të marrë mijëra euro para cash, bizhuteri floriri, ora luksoze, monedha të çmuara dhe sende të tjera me vlerë të lartë.
Më 19 dhjetor, pas dy vjedhjeve të njëpasnjëshme në zona të ndryshme të qytetit, ku në njërën prej banesave u grabit edhe një kasafortë me bizhuteri dhe para, policia arriti të ndalojë mjetin me të cilin lëviznin autorët. Brenda makinës u gjetën sendet e vjedhura, kasaforta, para të gatshme, si dhe mjete profesionale për thyerje, përfshirë pajisje prerëse dhe radio komunikimi.
Katër të arrestuarit rezultojnë me precedentë penalë për vepra kundër pronës, dy prej tyre edhe më herët për vjedhje banesash. Pas arrestimit, ata u dërguan në burg, në dispozicion të prokurorisë, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin kriminal të bandës dhe lidhjet e saj me grabitje të tjera në Itali.
