Kryeministri Edi Rama u ndal dje te problematikat në sektorin e ndërtimit, duke paralajmëruar se nuk do të ketë asnjë tolerancë për shkeljet e standardeve dhe abuzimet me lejet e ndërtimit. Gjatë një takimi me sipërmarrës mbi nismën e Paqes Fiskale, Rama theksoi se ndërtimi është sektori kryesor i ekonomisë dhe duhet të funksionojë me nivel maksimal përgjegjshmërie.
“Paqe me ndërtuesit nuk ka. Ka Paqe Fiskale për të gjithë, por paqe për standardet me ndërtuesit nuk ka. Më keni mbrapa këmba-këmbës mua dhe gjithë strukturat që varen nga unë. Pastaj ka bashki ku mund të bëni letra si të doni, por po u kapët, nuk j’ua ka fajin askush”, deklaroi Rama.
Kryeministri paralajmëroi se ndërtuesit që shkelin lejet e ndërtimit do të futen në listë të zezë dhe nuk do të përfitojnë më leje ndërtimi për shumë vite. Sipas tij, niveli i vetëdijes për përgjegjësinë ligjore dhe shoqërore në këtë sektor mbetet ende i ulët.
“Standardet e zbatimit të projekteve janë larg asaj që duhet të jenë dhe dëmet kolaterale nga ndërtimet e pakontrolluara vazhdojnë të jenë të pranishme”, tha Rama, duke shtuar se paketa e re e masave ligjore për ndërtimin synon rritjen e cilësisë dhe disiplinës në këtë sektor.
Një tjetër problematikë e theksuar nga kryeministri ishte deklarimi i pagave minimale për punonjësit e ndërtimit. Rama u bëri thirrje sipërmarrësve që të deklarojnë pagat reale dhe të ndalojnë praktikat abuzive.
“Çfarë mbështetje kërkoni, kur deklaroni punonjës me 50 mijë lekë? Nuk ekziston punonjës me këtë pagë në ndërtim, as në Tiranë dhe as kudo tjetër. Nuk të vjen njeri me 50 mijë lekë të të shtrojë një pllakë”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se ndonëse qeveria është e kufizuar nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e tavaneve të pagave, përgjegjësia për deklarimin e saktë mbetet e bizneseve.
“Sektori i ndërtimit është sektori me fitimin më të lartë në Shqipëri dhe njëkohësisht sektori ku shfrytëzohen më shumë punonjësit. Tani po e kuptoni se nuk luhet me punonjësit, sepse nuk i gjeni më. Prandaj shkundini xhepat, i keni të fryrë, dhe paguajini njerëzit me 1000 apo 1500 euro në muaj”, deklaroi Rama.
Kryeministri nënvizoi se respektimi i ligjit, standardeve dhe dinjitetit të punonjësve është kusht i panegociueshëm për funksionimin e sektorit të ndërtimit dhe për vazhdimin e Paqes Fiskale.
