“AKSHI zbuloi kapjen e shtetit nga mafia” – Blushi: Asgjë nuk e shpëton Ballukun dhe Agasin, u cenua siguria kombëtare

Data

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se skandali i AKSHI-t ka “hequr çdo maskë” dhe ka zbuluar një realitet tronditës, sipas tij: një shtet të kapur dhe të rrëmbyer nga mafia, ku vendimet nuk merren më nga ligji, por diktohen nga krimi i organizuar.

Nga selia e Partisë së Lirisë, Blushi tha se nuk bëhet fjalë për korrupsion të izoluar, por për një sistem të tërë kriminal të integruar në strukturat e pushtetit. Ai akuzoi se ky rrjet ka vënë dorë mbi Thesarin e Shtetit, ka depërtuar në sisteme tejet sensitive si TIMS dhe ka cenuar drejtpërdrejt sigurinë kombëtare.

“Shteti nuk qeveriset më nga ligji, por nga mafia. Vendimet për pasuritë publike dhe tenderimet diktohen nga krimi i organizuar, i mbrojtur dhe i paprekshëm”, u shpreh Blushi.

Sipas tij, qeveria dhe kryeministri janë në panik përballë asaj që ai e cilësoi si fund të pashmangshëm politik, ndërsa protesta e opozitës e 22 dhjetorit, sipas Blushit, ishte shprehje e revoltës qytetare që nuk mund të ndalet më.

Ai kritikoi edhe vendimin për përjashtimin e 6 deputetëve të opozitës nga Komisioni i Etikës, duke e cilësuar si një akt frike dhe një atentat ndaj pluralizmit politik.

“Ky përjashtim nuk e ndal betejën tonë, përkundrazi e forcon. Çdo tentativë kriminale për të bllokuar drejtësinë është e destinuar të dështojë”, theksoi Blushi.

Në përfundim, ai paralajmëroi se askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë:

“Asgjë nuk do ta ndalë llogaridhënien dhe ndëshkimin e Edi Ramës, Belinda Ballukut, Ergys Agasit dhe gjithë bandës që ka ndërtuar pushtetin mbi grabitjen, krimin dhe drogën.”

Deklarata e Blushit u shpërnda edhe në rrjetet sociale nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, nga qelia.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related