Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut, Korreshi: Nuk pritet Gjykata Kushtetuese, pezullimi është zëvendësuar me masë më të rëndë sigurie

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, i cilësoi si “dramë” të dhënat që përmban relacioni i SPAK, depozituar në Kuvend për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera, përfshirë edhe procedurat e tunelit të Llogarasë.

Sipas Korreshit, informacionet që SPAK u ka vënë në dispozicion deputetëve janë shumë më të rënda se ato që janë bërë publike deri tani. Ai theksoi se, mbi bazën e provave të reja, Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet urgjentisht për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

Deputeti nënvizoi se ankimi i qeverisë në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e masës ka rënë, pasi SPAK ka kërkuar tashmë një masë më të ashpër sigurie, duke i hapur rrugë arrestimit. Sipas tij, nuk ka asnjë arsye ligjore për të pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Janë ndryshuar rrethanat. Nuk ka të bëjë fare me pritjen e Gjykatës Kushtetuese, sepse pezullimi është zëvendësuar me një masë sigurimi më të rëndë. Ka elementë të rinj që e rëndojnë ndjeshëm pozitën e zëvendëskryeministres, përfshirë rrezikun e largimit jashtë vendit dhe, mbi të gjitha, ndikimin në prishjen ose asgjësimin e provave”, deklaroi Korreshi.

Ai shtoi se informacionet që ka parë nuk mund t’i bëjë publike për shkak të sekretit hetimor, por i cilësoi si tronditëse për mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar buxheti i shtetit.

“E kam quajtur gjenocid ndaj buxhetit të shtetit. Është tragjedi të shohësh se si janë përvetësuar fonde publike, në një kohë kur qytetarët mezi e mbyllin muajin. Hetimet janë të ndara në disa lote dhe kjo çështje shkon përtej disa emrave”, përfundoi deputeti.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related