Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, prezantoi të dhëna nga libri “Farsa e madhe e zgjedhjeve në Shqipëri”, një dokument voluminoz prej rreth 1500 faqesh, që sipas opozitës përmbledh shkeljet dhe krimet zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Vokshi deklaroi se materiali përmban mbi 2500 raste të verifikuara, të shoqëruara me foto, dëshmi dhe burime konkrete, të mbledhura nga qytetarë, vëzhgues dhe komisionerë zgjedhorë.
“Çdo denoncim ka kaluar një proces verifikimi përpara se të përfshihej në libër. Asnjë rast nuk është futur pa prova. Janë gjithsej 2543 raste të dokumentuara”, tha ajo.
Sipas Vokshit, rastet janë të renditura sipas kategorive të shkeljeve të evidentuara edhe në raportet ndërkombëtare, duke përfshirë:
- shpërdorimin e funksionit dhe burimeve administrative
- përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor
- sistemin e patronazhimit
- problematikat me votën e diasporës
- shkeljet gjatë ditës së zgjedhjeve, me 821 raste të dokumentuara
- procesin e ankesave dhe hapjen e kutive
- shkeljet paszgjedhore
Ajo theksoi se në libër janë përfshirë edhe raste konkrete të abuzimeve dhe krimeve elektorale në qarkun e Fierit, duke akuzuar drejtuesen politike të këtij qarku për përfshirje direkte në manipulimin e procesit zgjedhor.
“Një pjesë e konsiderueshme e librit dokumenton krime elektorale në Fier, ku drejtimi politik ka qenë në qendër të abuzimeve dhe manipulimeve”, u shpreh Vokshi.
Deputetja shtoi se për çdo rast të përfshirë është vendosur edhe një kod identifikues, i cili lejon verifikimin e shkeljes dhe dokumentacionit përkatës.
Sipas PD-së, ky publikim përbën provën më të plotë të manipulimit sistematik të zgjedhjeve dhe do të përdoret si bazë për veprime të mëtejshme politike dhe ligjore.
