Berisha pas protestës para Kryeministrisë: Qytetarët nisën misionin për shpëtimin e demokracisë

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protesta kombëtare e mbajtur një ditë më parë para Kryeministrisë shënoi nisjen e një faze të re të aksionit opozitar, të cilën e cilësoi si një mision për demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Sipas Berishës, pjesëmarrja masive e qytetarëve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishte një mesazh i qartë kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

“Të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë që mbushën dje bulevardin, në protestën më të fuqishme paqësore që mbahet mend, inauguruan misionin e ri të opozitës: shpëtimin e demokracisë, familjes shqiptare dhe Shqipërisë”, u shpreh Berisha.

Ai theksoi se çdo qytetar që mori pjesë në protestë “firmosi një kontratë morale” për të qëndruar në krah të opozitës deri në fund të betejës politike.

“Secili pjesëmarrës firmosi kontratën me demokracinë dhe Shqipërinë për t’u dalë zot deri në betejën përfundimtare”, deklaroi kreu i PD-së.

Berisha falënderoi protestuesit për karakterin paqësor të tubimit, duke pranuar se zemërimi ndaj qeverisë është i madh, por sipas tij, është mbajtur nën kontroll.

“E kuptoj zemërimin dhe urrejtjen e pakufishme ndaj kësaj narkoqeverie, por përmbajtja ishte një akt force dhe përgjegjësie”, tha ai.

Në fjalën e tij, Berisha hodhi poshtë pretendimet e mazhorancës se qytetarët nuk mbështesin opozitën, duke theksuar se protesta tregoi qartë ndjenjat e popullit.

“Mesazhi i protestës përmblidhet me një fjalë të vetme: Largohu!”, përfundoi ai, duke e cilësuar betejën politike si një përballje vendimtare “për jetë ose për liri”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related