Kompania Johnson & Johnson është dënuar të paguajë rreth 1.56 miliardë dollarë dëmshpërblim ndaj një gruaje nga Merilendi, e cila e akuzoi kompaninë se përdorimi i pudrës për bebe i shkaktoi një formë kanceri të lidhur me asbestin.
Ky është dëmshpërblimi më i madh individual i dhënë gjatë më shumë se 15 viteve procese gjyqësore që lidhen me paditë ndaj pudrës për bebe të kësaj kompanie.
Juria në një gjykatë të Baltimores vendosi se Johnson & Johnson, dy nga degët e saj dhe kompania e shkëputur Kenvue janë përgjegjëse për mosparalajmërimin e Cherry Craft se produkti përmbante asbest, substancë që studiuesit e lidhin me mezoteliomën, një formë agresive e kancerit.
Vendimi vjen në një moment të vështirë për kompaninë, e cila këtë vit dështoi në përpjekjen për të përdorur gjykatën e falimentimit për të imponuar një marrëveshje zgjidhjeje për më shumë se 70 mijë padi të lidhura me këtë produkt.
Rasti në Merilend tejkalon edhe vendimin e tetorit, ku familjes së një gruaje nga Kalifornia, e cila humbi jetën nga mezotelioma pas përdorimit afatgjatë të pudrës për bebe, iu akorduan 966 milionë dollarë dëmshpërblim.
Johnson & Johnson vijon të mohojë akuzat, duke deklaruar se taku nuk shkakton kancer dhe se produktet e saj nuk kanë përmbajtur kurrë asbest. Kompania thekson se për më shumë se 100 vjet pudra për bebe është tregtuar si produkt i sigurt.
“Do të paraqesim menjëherë apel ndaj këtij vendimi skandaloz dhe qartësisht antikushtetues, i cili është rezultat i gabimeve serioze të gjykatës së shkallës së parë”, deklaroi drejtuesi i çështjeve gjyqësore të kompanisë.
