Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar lidhur me skandalin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe përgjimet e zbardhura nga dosja e SPAK.
Sipas saj, të dhënat e dala nga hetimet tregojnë se për vite me radhë shqiptarët janë drejtuar realisht nga Ergys Agasi, të cilin ajo e cilëson si një “zëvendëskryeministër në hije”, aktualisht në kërkim nga SPAK për një sërë akuzash të rënda.
Tabaku shprehet se, ndërkohë që qeveria shfaqej publikisht me retorikë politike, miliona euro tendera publikë, emërime kyçe dhe politika strategjike – përfshirë edhe atë të “Pasaportave të Arta” – sipas saj, kanë pasur vulën dhe origjinën në zyrën e Agasit, konkretisht tek “EA Tobacco”.
Ajo thekson se pikërisht aty:
- Përcaktoheshin fituesit e tenderave të AKSHI-t
- Vendosej fati i politikave shtetërore
- Zhvilloheshin takime të fshehta mes Agasit dhe zyrtarëve shtetërorë
Sipas Tabakut, ekziston rreziku real që edhe projekte të tjera madhore të qeverisë të kenë dalë nga këto zyra informale dhe jo nga mbledhjet zyrtare të qeverisë.
Deputetja e PD-së thekson se dosja e publikuar mbulon vetëm dy vite aktivitet, ndërsa ngre pikëpyetje serioze mbi atë që mund të ketë ndodhur gjatë një dekade të tërë qeverisjeje.
“E vërteta është e dhimbshme: kjo qeveri është produkt i një grupi të strukturuar kriminal. Nuk kemi të bëjmë më me një shtet të kapur, por me një shtet të marrë peng dhe të lënë peng në tryezën e bixhozit politik”, shkruan Tabaku.
Ajo shton se institucionet janë trajtuar si pronë private dhe se pushteti është përdorur për shantazh, presion dhe prodhim politikash në interes të një pakice.
Në fund, Tabaku ngre pyetjen nëse kjo qeveri ka ende legjitimitet moral për të qeverisur vendin, duke theksuar se sot dy figura që ajo i cilëson si “zëvendëskryeministra” – një zyrtar dhe një në hije – janë nën hetim nga SPAK.
“Sot kjo qeveri mbahet në këmbë vetëm nga inercia e krimit”, përfundon ajo.
