Protesta e PD-së/ Salianji: Takimet e mia masive kishin një qëllim – të zgjonin Partinë Demokratike

Data

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, foli nga protesta kombëtare e opozitës para Kryeministrisë, ku theksoi se takimet e tij të vazhdueshme me demokratët në të gjithë vendin kishin si synim “rizgjimin” e Partisë Demokratike dhe përgatitjen e saj për përballje me qeverinë.

Salianji u shpreh se protesta e sotme dëshmon se PD ka hyrë në një fazë tjetër angazhimi, duke vlerësuar mobilizimin e strukturave dhe pjesëmarrjen e demokratëve pas skandaleve të njëpasnjëshme që, sipas tij, kanë tronditur qeverinë.

“I gjithë qëllimi i takimeve masive me demokratët ka qenë për të rizgjuar PD-në, për të kërkuar protestë dhe revoltë. Sot duket qartë se PD është zgjuar, me energji tjetër dhe me angazhim real të strukturave të saj”, deklaroi Salianji.

Ai theksoi se fokusi kryesor i opozitës janë skandalet që lidhen me Belinda Ballukun dhe aferën e AKSHI-t, të cilat, sipas tij, kanë ekspozuar qeverinë jo vetëm për korrupsion politik dhe moral, por edhe për lidhje të drejtpërdrejta me krimin.

“Këto skandale tregojnë se shteti dhe krimi janë shkrirë në një. Detyra jonë është të ndajmë shtetin nga të korruptuarit dhe ta kthejmë atë në shërbim të qytetarëve”, u shpreh ai.

I pyetur nëse do të vijojë takimet me bazën e PD-së, Salianji u përgjigj se këto takime nuk janë ndalur asnjëherë dhe se do të vazhdojnë pa ndërprerje.

“PD duhet të bëjë gjithçka për të qenë e përgatitur për ta rrëzuar Edi Ramën sa më shpejt. Skandale të tjera pritet të dalin dhe opozita duhet të jetë gati”, tha ai.

Lidhur me zërat për divergjenca mes tij dhe Sali Berishës, Salianji theksoi se ndryshimet dhe debatet e brendshme janë pjesë normale e çdo procesi transformimi.

“Asnjë ndryshim nuk vjen pa divergjenca mendimesh. Ripërtëritja e PD-së është e domosdoshme për të përmbushur objektivin kryesor: largimin e Edi Ramës nga pushteti”, përfundoi Salianji.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related