Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim të ashpër gjatë protestës së opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama për shkatërrimin e vendit, kapjen e institucioneve dhe largimin masiv të shqiptarëve nga Shqipëria.
Berisha tha se në vitet e qeverisjes së Ramës, vendi ka përjetuar një rënie dramatike demografike, duke humbur miliona qytetarë dhe mbi gjysmën e rinisë së tij.
“Në 10 vitet e fundit shqiptarët janë pakësuar më shumë se nga çdo epidemi. Kemi shkuar 100 vite pas për nga lindshmëria. Shqipëria po mbetet pa të rinj, pa të ardhme”, u shpreh ai.
Sipas Berishës, kryeministri ka shndërruar zgjedhjet në një farsë dhe ka përdorur pasuritë publike për t’u pasuruar personalisht.
“Pasi i ktheu zgjedhjet në farsë elektorale, Edi Rama ka vendosur me paratë tuaja të bëhet multimiliarder, duke grabitur pasuritë publike”, deklaroi kreu i PD-së.
Ai theksoi se Rama ka vendosur veten mbi ligjin dhe Kushtetutën, duke e konsideruar veten të paprekshëm nga drejtësia dhe institucionet.
“Ai ka vendosur veten mbi ligjin dhe Kushtetutën, mbi çdo pushtet. Na flet nga Surreli apo nga kjo godinë e krimit dhe thotë: ‘Ju shumëzoj me zero’”, tha Berisha.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha lëshoi një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit.
“Edi Rama, hidhi sytë nga bulevardi. Nga sot nuk je më kryeministër. Nga sot do të njihesh si kapobandë”, përfundoi ai mes brohoritjeve të protestuesve.
