Në protestën kombëtare të opozitës të mbajtur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, mbajti një fjalim me tone të forta kundër qeverisë.
Bardhi deklaroi se për herë të parë pushteti është vënë përballë frikës nga veprimet dhe krimet e veta, duke theksuar se ky është një moment vendimtar për qytetarët shqiptarë.
“Sot nuk ju kërkohet të besoni te një individ apo te një emër i vetëm. Sot ju kërkohet të besoni te vetja juaj”, u shpreh Bardhi para protestuesve.
Ai theksoi se asnjë regjim nuk është rrëzuar vetëm me fjalime, por vetëm atëherë kur qytetarët kanë refuzuar nënshtrimin dhe kanë zgjedhur qëndresën.
“Asnjë regjim nuk bie nga fjalët, por bie kur njerëzit nuk pranojnë më të nënshtrohen. Mos u nënshtroni. Qëndresë sot, rezistencë nesër dhe fitore për Shqipërinë”, përfundoi Bardhi mes brohoritjeve të protestuesve.
