Këlliçi në protestë: Regjimi ka rënë, Rama s’di më kë të mbrojë

Data

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ishte i pari që mori fjalën në protestën kombëtare të opozitës, duke e cilësuar tubimin si një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj qeverisjes së Edi Ramës.

Në fjalën e tij, Këlliçi u bëri thirrje protestuesve të ndezin dritat e telefonave për të treguar, sipas tij, se ku ndodhet opozita dhe qytetarët kundërshtarë të qeverisë. Ai theksoi se protesta nuk është një ritual politik, por një mision për të thënë të vërtetën dhe për të kërkuar largimin e kryeministrit.

“Ky pushtet ka mbaruar. Edi Rama duhet të japë dorëheqjen tani, jo kur t’i dojë qejfi atij”, deklaroi Këlliçi nga podiumi i protestës.

Ai hodhi akuza të forta për zhdukje provash dhe për përfshirje të zyrtarëve të lartë në afera korruptive, duke pretenduar se mesazhe dhe prova komprometuese po ruhen mes figurave kyçe të pushtetit. Sipas tij, situata ka arritur në një pikë ku vetë kryeministri “nuk di më kë të mbrojë dhe kë të lëshojë”.

Këlliçi u shpreh se mekanizmi i qeverisjes është mbajtur gjallë nga frika dhe se tashmë kjo frikë, sipas tij, është thyer. Ai akuzoi qeverinë për zhdukjen e miliarda eurove nga paratë publike dhe për largimin masiv të qytetarëve nga vendi.

“Kjo bandë detyroi të ikin mbi një milion shqiptarë. Sot jemi këtu për t’i thënë mjaft”, përfundoi deputeti i PD-së, mes brohoritjeve të protestuesve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related