Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka ripërsëritur qëndrimin e tij të distancuar nga protestat e organizuara nga Partia Demokratike dhe Sali Berisha, duke theksuar se protestat duhet të zhvillohen pa logo partie dhe vetëm si qytetarë.
Në ditën e 15-të të qëndrimit të tij para Kryeministrisë, Lapaj u shpreh se protesta e paralajmëruar nga PD-ja duhet të shkojë përtej simbolikave partiake, në mënyrë që të krijohet një bashkim sa më i gjerë qytetar kundër qeverisë.
“Ne protestojmë pa logo. Partitë duhet të qëndrojnë në seli. Në shesh duhet të dalim si qytetarë, jo si struktura politike. Këtu i vetmi flamur që duhet të ngrihet është flamuri kombëtar,” u shpreh Lapaj.
Ai theksoi se respekton çdo protestë dhe se nuk synon të pengojë askënd, por nënvizoi se protestat me flamuj partie rrezikojnë të kufizojnë pjesëmarrjen qytetare.
“Nëse PD vjen me flamujt e saj, ajo bën protestën e vet. Unë nuk jam zot i qytetit dhe nuk vendos ku bëhen protestat. Por do të ishte shumë më mirë që qytetarët dhe demokratët të ishin në shesh përtej logove partiake, sepse kjo do të krijonte një bashkim më të madh,” tha ai.
Lapaj shtoi se protestat që ai po organizon nuk kanë si qëllim rritjen e një force politike, por përballjen me atë që ai e cilëson si autokraci dhe keqqeverisje.
“Kjo nuk është koha për të rritur parti. Është koha për të shpëtuar Shqipërinë. Partitë duhet t’i përgatisim për zgjedhjet, ndërsa në qytet të dalim si qytetarë,” theksoi Lapaj.
Ai deklaroi se protesta e fundit e organizuar nga lëvizja e tij ka mbledhur mijëra qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit dhe se pjesëmarrja pritet të rritet në ditët në vijim.
“Nuk presim mrekulli. Qytetarët duhet të organizohen. E nisëm si individë dhe u bëmë qindra e mijëra. Kjo protestë ka një mesazh të qartë: çdo qytetar duhet të vijë për hallin e vet,” përfundoi Lapaj.
