Dosja hetimore e SPAK ndaj organizatës kriminale që vepronte brenda Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) hedh dritë mbi një skemë të strukturuar abuzimi me fondet publike, ku vlerat e tenderëve fryheshin qëllimisht për përfitime korruptive.
Një nga përgjimet kyçe të zbardhura në dosje i atribuohet Ergys Agasit, i cili shprehet hapur:
“Projekti bën dy milionë, ne do ta bëjmë katër.”
Në një tjetër komunikim ai shton: “T’ia them kapos… ka një gjë që ia them kapos, se e ka gjithçka në një raport.”
Sipas SPAK, këto biseda tregojnë mekanizmin e paracaktimit të procedurave të prokurimit dhe fryrjes së fondeve, ku diferenca përfundonte si përfitim i paligjshëm për grupin.
30.2 milionë euro në 9 muaj
Nga hetimet rezulton se vetëm për periudhën 11 dhjetor 2024 – 26 shtator 2025, përmes kësaj skeme janë përfituar 30.2 milionë euro, vetëm nga fondet e AKSHI-t. Këto para, sipas dosjes, përfaqësojnë atë që SPAK e cilëson si “taksa e korrupsionit” mbi një tender sekret me fond limit 60 milionë euro.
Për të justifikuar qarkullimin e parave, Agasi dyshohet se ka ndërtuar një rrjet kompanish fiktive (kompani hije), përmes të cilave janë kryer faturime të rreme. Në këtë skemë është përfshirë edhe biznesmeni Ermal Beqiri.
Faturime fiktive dhe kompani pa aktivitet real
Hetimet tregojnë se subjekti “EA Solution” sh.p.k. ka faturuar shuma të mëdha drejt tre kompanive të tjera, konkretisht:
- mbi 2.2 miliardë lekë drejt “Fastech” sh.p.k.;
- mbi 139 milionë lekë drejt “First” sh.p.k.;
- mbi 527 milionë lekë drejt “Soft & Solution” sh.p.k.
SPAK konkludon se këto faturime janë fiktive, të kryera me qëllim përfitimin e fondeve që rrjedhin nga procedurat e prokurimeve të paracaktuara.
Sipas dosjes, “EA Solution” nuk kishte ambiente reale për ushtrimin e aktivitetit, përdorte zyrat e një kompanie tjetër dhe punonjësit e deklaruar ishin rekrutuar përmes burimeve njerëzore të subjekteve të lidhura. Administratorja formale e kompanisë nuk kishte dijeni për kontratat apo aktivitetin ekonomik që kryhej në emrin e saj.
Gjithashtu, disa prej personave të marrë në pyetje kanë deklaruar se shërbimet janë kontraktuar përmes ndërmjetësimit të Ermal Beqirit, i cili i drejtonte drejt këtyre subjekteve.
Konkluzioni i SPAK
Sipas Prokurorisë së Posaçme, të gjitha veprimet financiare dhe kontraktuale janë drejtuar realisht nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, me qëllimin përfundimtar përfitimin e paligjshëm të fondeve publike nga kontratat e AKSHI-t, përmes një skeme të organizuar dhe të qëndrueshme korrupsioni.
