Teksa sot mbahet protesta kombëtare e opozitës, deputeti i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, i ka bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje masive, duke e cilësuar këtë protestë si një akt dinjiteti dhe përgjegjësie qytetare.
Në reagimin e tij publik, Gjunkshi thekson se protesta nuk ka karakter partiak, por është një reagim i domosdoshëm kundër sulmeve ndaj drejtësisë dhe përpjekjeve të qeverisë për të mbrojtur korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit.
Sipas deputetit demokrat, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të sulmojë institucionet e drejtësisë jo për interesin publik, por për të mbrojtur vjedhjet dhe aferat e njerëzve të tij më të afërt, përfshirë edhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Sot nuk është thjesht një protestë opozitare. Sot është një thirrje për dinjitet dhe drejtësi. Kur drejtësia afrohet, pushteti dridhet. Dhe kur pushteti dridhet, kërcënon, shantazhon dhe sulmon institucionet e pavarura”, shprehet Gjunkshi.
Ai thekson se situata aktuale ka kaluar kufijtë e përplasjes politike dhe lidhet drejtpërdrejt me interesin e qytetarëve, taksat e tyre, shërbimet publike që mungojnë dhe projektet infrastrukturore që, sipas tij, kushtojnë më shumë se vlera reale.
“Kjo nuk ka më të bëjë me parti. Ka të bëjë me Shqipërinë. Me spitalet që mungojnë, me rrugët që kushtojnë sa ari dhe me një qeveri që mendon se është mbi ligjin”, deklaron deputeti.
Në përfundim, Gjunkshi u bën thirrje qytetarëve që të dalin në protestë sot në orën 18:00, pa flamuj partie, por si qytetarë që refuzojnë korrupsionin dhe padrejtësinë.
“Heshtja sot është bashkëfajësi. Prania është qëndrim. Shihemi në protestë. Për drejtësinë. Për Shqipërinë”, përfundon ai.
