Një pajisje e sofistikuar përgjimi audio dhe video është sekuestruar nga hetuesit e BKH-së në zyrën e biznesmenit Ergys Agasi, në zonën e ish-Bllokut, duke hapur një kapitull të ri tronditës në hetimet e Prokurorisë së Posaçme.
Sipas të dhënave hetimore, pajisja ishte e pozicionuar në mënyrë të tillë që regjistronte me zë dhe figurë çdo person që hynte dhe dilte nga ambientet e zyrës. Përgjimet përfshinin biseda private me zyrtarë të lartë të administratës shtetërore dhe struktura të Policisë së Shtetit.
Hetuesit kanë sekuestruar gjithashtu një laptop dhe rreth shtatë telefona celularë, të cilët po analizohen si prova kyçe në disa procedime penale. Materialet e gjetura konsiderohen thellësisht komprometuese dhe pritet të përdoren për ngritjen e akuzave të reja.
Për shkak të volumit të madh të provave, SPAK ka ndarë dosjen kryesore në disa fraksione hetimore, duke zgjeruar fokusin ndaj kontrabandës, korrupsionit dhe lidhjeve mes biznesit dhe institucioneve shtetërore. Në këto hetime përfshihen punonjës policie, biznesmenë të fushës së call-center-ave dhe basteve sportive, si dhe zyrtarë të administratës publike.
Hetimi ndaj Agasit dhe bashkëpunëtorëve të tij ka zbuluar një mekanizëm të qëndrueshëm për përfitime të paligjshme përmes marrëdhënieve të fshehta me struktura shtetërore. Dosja e AKSHI-t, që ka çuar në masa sigurie dhe akuza të rënda, është ndërtuar mbi të njëjtën linjë hetimore që nisi nga kontrabanda e cigareve.
Pajisja e përgjimit, e instaluar për të mbajtur nën kontroll bashkëbiseduesit, tashmë është kthyer në provën më të fortë kundër vetë pronarit të saj, duke rrezikuar të nxjerrë në dritë një rrjet të gjerë abuzimi dhe bashkëpunimi kriminal në nivelet më të larta të pushtetit.
