Policia e Shtetit ka publikuar planin e posaçëm të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të Vitit të Ri 2026.
Sipas këtij plani, strukturat e Policisë do të kalojnë në shërbim të përforcuar në të gjithë territorin e vendit, ndërsa forcat speciale do të jenë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo situatë të rrezikshme.
Me qëllim parandalimin e incidenteve dhe ngjarjeve kriminale, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka përcaktuar detyra të qarta për të gjitha strukturat vendore dhe qendrore.
Masat kryesore përfshijnë:
- Shtimin e prezencës policore me uniformë dhe të Policisë Kriminale në zona urbane dhe turistike, për garantimin e rendit dhe parandalimin e krimeve;
- Përforcimin e shërbimit në pikat e kalimit kufitar, me shtim sportelesh dhe personeli, për të lehtësuar hyrje-daljet e shtetasve dhe shmangur radhët e gjata;
- Rritjen e kontrolleve në kufijtë tokësorë, detarë dhe ajrorë, si dhe patrullime të shtuara në kufirin e gjelbër për parandalimin e krimeve kufitare;
- Intensifikimin e kontrolleve rrugore, me përdorimin e mjeteve inteligjente shpejtësimatëse, alkooltestuesve, dronëve dhe shtimin e patrullave të Policisë Rrugore, me qëllim parandalimin e aksidenteve;
- Bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe institucionet fetare, për mbarëvajtjen e ceremonive të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri;
- Rritjen e prezencës së Policisë në sheshe, pedonale, objekte kulti, shëtitore dhe zona me grumbullime të mëdha qytetarësh gjatë netëve festive;
- Kontrolle të shtuara në restorante, lokale dhe qendra tregtare, për parandalimin e konflikteve dhe veprimtarive kriminale;
- Intensifikimin e kontrolleve ndaj tregtimit të lëndëve piroteknike, në bashkëpunim me strukturat zjarrfikëse dhe institucionet ligjzbatuese;
- Përforcimin e sigurisë në banka, zyra këmbimi valutor dhe objekte ku administrohen vlera monetare, si dhe bashkëpunim me shërbimet private të sigurisë.
Policia ka sqaruar gjithashtu se nuk ekziston asnjë urdhër për vendosjen e kuotave të gjobave, duke përgënjeshtruar deklaratat për presion ndaj punonjësve të Policisë. Masat administrative synojnë vetëm rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.
Forcat e Posaçme dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo moment, nëse situata e kërkon.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë, duke denoncuar çdo rast paligjshmërie apo indicie për konflikte në numrin 112, gjatë gjithë periudhës festive.
