Në Prokurorinë e Posaçme, paraditen e sotme në orën 10:00, zhvillohet ceremonia zyrtare e kalimit të detyrës nga Altin Dumani te drejtuesi i ri i SPAK-ut, Klodian Braho, i zgjedhur për një mandat 3-vjeçar.
Braho u zgjodh me 7 vota nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke marrë drejtimin e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në një moment të konsideruar kyç për vijimësinë e reformës në drejtësi.
Mandati i drejtuesit të SPAK është 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje. Altin Dumani, i cili pasoi Arben Krajën si drejtues i kësaj strukture, përfundon kështu detyrën drejtuese dhe do të vijojë punën si prokuror i SPAK-ut deri në vitin 2028, kur i mbaron mandati 9-vjeçar.
Largimi i Dumanit nga drejtimi vjen mes diskutimeve të vazhdueshme mbi mundësinë e rikandidimit të drejtuesve të SPAK, një kërkesë që nuk u reflektua në kuadrin ligjor.
Kush është Klodian Braho
Klodian Braho u emërua prokuror më 14 nëntor 2007, duke ndërtuar një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë shqiptare. Ai e nisi punën në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, ku shërbeu deri në vitin 2012, për të vijuar më pas në Prokurorinë e Vlorës.
Në Vlorë, Braho mbajti edhe detyrën e zëvendës drejtuesit dhe u bë i njohur për hetimin dhe çuarjen në gjyq të ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh në dhënien e lejeve të ndërtimit.
Në vitin 2015, karriera e tij mori një kthesë të rëndësishme me emërimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Gjatë kësaj periudhe, ai udhëhoqi hetimin ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, një çështje që u konsiderua simbol i llogaridhënies në nivelet e larta të drejtësisë.
Si prokuror i SPAK-ut, Braho ka qenë përgjegjës për disa nga dosjet më të ndjeshme të viteve të fundit. Ai ka hetuar dhe çuar përpara dosjen e inceneratorit të Elbasanit, e vetmja dosje e kësaj çështjeje që ka marrë vendim të formës së prerë, me 9 persona të dënuar, përfshirë ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka.
Braho ka drejtuar gjithashtu hetimet e dosjes “5D”, ku u çuan në gjyq ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës, si edhe dosjen “Toyota Auris”, e cila përfshin disa fraksione hetimore dhe figura të sistemit të drejtësisë.
Ai është gjithashtu pjesë e trupës së prokurorëve që kanë firmosur dosjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili ndodhet në proces gjyqësor për shpërdorim detyre në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.
Me marrjen e detyrës nga Klodian Braho, SPAK hyn në një fazë të re drejtimi, mes pritshmërive të larta publike për vijimin e hetimeve ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta të pushtetit.
