Tronditje në Australi: autorët e masakrës në Sidnei u trajnuan brenda vendit

Data

Policia australiane ka konfirmuar se dy autorët e sulmit terrorist në plazhin Bondi të Sidneit, ku humbën jetën 15 persona, ishin trajnuar brenda territorit të Australisë përpara se të kryenin aktin e përgjakshëm.

Sipas dokumenteve hetimore të publikuara sot, autorët e identifikuar si Sajid dhe Navid Akram, babë e bir, kishin zhvilluar aktivitete përgatitore dhe ideologjike në vend, pa udhëtuar jashtë Australisë për trajnim.

Hetuesit kanë zbuluar në një telefon celular një video ku dy autorët shfaqen të ulur përpara një flamuri të organizatës terroriste Shteti Islamik. Në pamje, ata recitojnë vargje nga Kurani dhe artikulojnë mesazhe ekstremiste me gjuhë urrejtjeje.

Sipas autoriteteve, Navid Akram, i cili mbeti i plagosur gjatë sulmit, është transferuar nga spitali ku po trajtohej në një institucion penitenciar, ndërsa babai i tij, Sajid Akram, u qëllua për vdekje në vendngjarje nga forcat e sigurisë.

Hetimet tregojnë gjithashtu se dy autorët kishin kryer disa herë vëzhgime të zonës së plazhit Bondi disa ditë përpara sulmit, duke studiuar lëvizjet dhe fluksin e njerëzve.

Ngjarja ka rihapur debatin në Australi mbi radikalizimin e brendshëm dhe rrezikun e ekstremizmit të lindur brenda shoqërisë, pa ndikim të drejtpërdrejtë nga rrjete të huaja.

Kryeministri australian, Anthony Albanese, u ka bërë thirrje të gjitha forcave politike të mbështesin një paketë të re ligjore që synon ashpërsimin e dënimeve për gjuhën e urrejtjes dhe forcimin e masave kundër ekstremizmit.

“Nuk do t’i lejojmë terroristët të fitojnë. Nuk do të lejojmë që shoqëria jonë të përçahet. Australia do ta kalojë këtë provë e bashkuar”, deklaroi kreu i qeverisë.

Autoritetet australiane theksojnë se hetimet vijojnë dhe se prioritet mbetet parandalimi i çdo rasti tjetër të radikalizimit dhe dhunës ekstremiste brenda vendit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related