Nga Leonard Veizi
Ditën që erdhi lajmi se qeveria kishte rritur rrogat, hyra në shtëpi me hapin e një njeriu që sapo ka fituar lotarinë dhe s’di nga t’ia nisë me paratë. Gjoksi përpara, zëri plot shpresë dhe entuziazëm i importuar direkt nga titujt e lajmeve:
— Grua, doli dielli edhe për ne! Rroga u rrit! U bëmë njerëz!
Por, si zakonisht, realiteti nuk banon në konferenca shtypi. Banon në kuzhinë. Dhe e mban librin e llogarive në dorë gruaja.
Ajo nuk buzëqeshi. As nuk u emocionua. Vetëm tundi kokën me atë shikimin që paralajmëron se diçka s’po shkon.
— Më pëlqen ky entuziazmi yt, — më tha. — Po kur të mbash ti llogarinë e shtëpisë, do ta shohësh sa “është rritur” rroga.
U përpoqa ta mbaja gjallë shpresën. I thashë se tani mund të kursejmë diçka, ndoshta edhe të planifikojmë ndonjë pushim. Gabim fatal.
— Sa kafe pi në ditë? — më pyeti papritur.
— Dy… të tretën ma ka ndaluar doktori.
— Dhe i shoqëron me ujë me bidon, apo jo?
Këtu filloi gjyqi. Jo ai i gjykatave, por ai i bidonit. Mikroekonomia e vërtetë shqiptare.
Fatura e ujit? 22 mijë lekë.
Bidonët për shtëpinë? Edhe 20 mijë të tjera.
Ujë rrugëve, kafeneve, zyrave? Llogaria u fry si tullumbace.
Në fund, shifra ishte therëse: mbi 120 mijë lekë vetëm për ujë. Rreth një e pesta e rrogës së “rritur” shkon vetëm për të shuar etjen dhe për të larë surratin.
Në atë moment më iku etja. Desha të pija ujë, por u ndala. Uji ishte kthyer në luks.
— Edhe qumësht dhie të pinim, do na dilte më lirë, — murmurita i dorëzuar.
Por lista nuk kishte mbaruar. U hap kapitulli tjetër: higjiena.
Letër higjienike, peceta, solucione, detergjentë… një univers i tërë shpenzimesh që nuk përmenden në fjalimet për rritje rrogash.
— Po gazetat? — tentova një shaka të dëshpëruar.
— Kanë plumb, — ma preu ajo. — Plumbi s’është i mirë për shëndetin.
Në atë pikë e kuptova se beteja ishte humbur. Buka ende s’kishte ardhur në rend dite, por e dija që po vinte.
Pushimet në jug? U kthyen në pushime në tarracë. Dy karrige, një çadër dhe një iluzion veror mbi beton.
Në fund, e vërteta është kjo:
Qeveria mund të shtojë zero në rroga sa të dojë. Por për sa kohë kostoja e jetesës ecën më shpejt se vendimet e Këshillit të Ministrave, familjet do ta kalojnë pragun e shtëpisë gjithmonë me borxhe.
Rritja e rrogës nuk matet me duartrokitje në sallë, por me një pyetje të thjeshtë:
A tund kokën gruaja me miratim apo me dëshpërim kur sheh listën e pazarit?
Për momentin, dielli që “doli” për ne, u mbulua sërish nga retë e zeza të bidonëve…
dhe të letrës higjienike.
