Opozita shqiptare zhvillon sot një protestë kombëtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kundër qeverisë, duke e akuzuar për keqqeverisje, korrupsion dhe abuzim me fondet publike.
Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 dhe ka në fokus, sipas organizatorëve, disa afera të mëdha infrastrukturore, me theks të veçantë tek zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Sipas opozitës, Balluku është e përfshirë në shkelje të rënda ligjore që lidhen me projektin e Tunelit të Llogarasë dhe ndërtimin e Unazës së Madhe. Këto çështje, sipas deklarimeve publike të opozitës, janë objekt hetimi nga Prokuroria e Posaçme.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj Ballukut, duke pretenduar se ajo ka përfituar rreth 50 milionë euro dhe disponon pasuri të shumta, përfshirë qindra apartamente, jahte dhe biznese. Këto deklarata janë bërë në kuadër të fushatës së opozitës për protestën e sotme.
Opozita kërkon dorëheqjen e Ballukut dhe përballjen e saj me drejtësinë, ndërsa ka deklaruar se SPAK i është drejtuar Kuvendit për heqjen e mandatit të saj me qëllim ndjekjen penale.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar një ditë më parë se mazhoranca nuk do të mbështesë kërkesën për heqjen e imunitetit, duke e cilësuar procesin si të motivuar politikisht.
Protesta e sotme pritet të shoqërohet me masa të shtuara sigurie dhe prani të forcave të rendit në zonën përreth Kryeministrisë.
