Forcat ruse kanë rrëmbyer rreth 50 civilë ukrainas nga një fshat kufitar në rajonin e Sumy-t, pranë zonës së Hrabovskes, dhe i kanë transportuar me forcë drejt territorit rus.
Lajmi është bërë i ditur nga Komisioneri i të Drejtave të Njeriut i Ukrainës, Dmytro Lubinets, i cili deklaroi se banorët e fshatit Khrabovske u kapën nga trupat ruse ditën e enjte. Sipas tij, civilët u mbajtën për disa ditë pa asnjë mundësi komunikimi dhe më pas, të shtunën, u dërguan në Rusi.
Lubinets theksoi se ka njoftuar menjëherë Komisionerin rus për të Drejtat e Njeriut dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, duke kërkuar ndërhyrje urgjente. Ai u bëri thirrje gjithashtu banorëve ukrainas që jetojnë në zonat kufitare të largohen sa më shpejt, duke paralajmëruar se qëndrimi aty përbën rrezik serioz për jetën.
Sipas raportimeve të mediave ukrainase, që citojnë burime ushtarake, shumica e personave të rrëmbyer kishin refuzuar më herët të evakuoheshin nga zona. Komandanti ushtarak i rajonit Sumy, Oleh Khryhorov, konfirmoi se operacionet e evakuimit nga zonat kufitare janë ende në zhvillim.
Nga ana tjetër, autoritetet ruse nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar për akuzat e rrëmbimit të civilëve. Megjithatë, një ditë më parë Moska pretendoi se kishte marrë kontrollin e fshatit Vyssoke, në të njëjtën zonë kufitare.
Ngjarja ndodh në një moment kritik, teksa po zhvillohen bisedime diplomatike për një marrëveshje të mundshme paqeje, duke hedhur dyshime të forta mbi sinqeritetin e palës ruse dhe duke rritur shqetësimet për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe krime lufte ndaj civilëve.
