Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në plagosjen dhe rrëmbimin e Millan Vukashinoviqit, ngjarje e ndodhur më 1 nëntor në territorin e Kosovës. Gjatë bastisjes në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar armë, municione dhe pajisje elektronike.
Sipas raportit zyrtar, gjatë kontrollit janë sekuestruar nëntë telefona celularë, një laptop, tri dokumente, një pushkë gjuetie me 39 fishekë, një jelek për fishekë si dhe një tytë arme. I dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se i arrestuari, me inicialet V.M., ka qenë ish-pjesëtar i Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe më pas ishte integruar në Policinë e Kosovës, përpara se të jepte dorëheqje. Sipas autoriteteve kosovare, ekzistojnë dyshime të bazuara se ai ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur struktura të sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe rrëmbimin e Vukashinoviqit, i cili gjatë incidentit u plagos rëndë dhe po trajtohet në një spital në Serbi.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në fshatin Jellakcë, afër Leposaviqit, ndërsa viktima është transportuar fillimisht në një spital lokal e më pas në Qendrën Klinike të Nishit. Autoritetet kosovare po e hetojnë rastin si rrëmbim të kryer brenda territorit të Kosovës.
Familja e Vukashinoviqit ka dorëzuar padi në Serbi ndaj personave që dyshohen si të përfshirë në këtë ngjarje. Ndërkohë, hetimet po vijojnë në bashkëpunim mes Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë.
