Një situatë emergjente shëndetësore është regjistruar gjatë udhëtimit detar nga Korfuzi drejt Sarandës, ku një 67-vjeçar është sëmur papritur në bord të tragetit.
Sipas informacioneve spitalore, shtetasi Ndue Gjoka, banor i Shkodrës dhe emigrant prej vitesh në Greqi, ka shfaqur probleme serioze shëndetësore gjatë lundrimit, teksa po kthehej në Shqipëri për të festuar fundvitin me familjen.
Menjëherë pas mbërritjes së tragetit në portin e Sarandës, 67-vjeçari është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Sarandës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Mjekët kanë konstatuar se pacienti vuante nga një problem i rëndë kardiak, konkretisht disekacion i aortës, një gjendje kritike që kërkon trajtim të specializuar dhe ndërhyrje të shpejtë.
Pas stabilizimit fillestar të gjendjes së tij shëndetësore, është vendosur që pacienti të transportohet me helikopter drejt Tiranës, për t’u trajtuar në një spital të specializuar, ku pritet të marrë kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se reagimi i shpejtë ka qenë vendimtar për shpëtimin e jetës së tij.
