Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili paralajmëroi se mazhoranca nuk do ta shqyrtojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Sipas Bardhit, ky qëndrim është provë e qartë e frikës dhe panikut të kryeministrit. Ai thekson se, nëse Rama do të ishte i pastër, do të mblidhte menjëherë Parlamentin dhe do t’i hiqte imunitetin zëvendëskryeministres, e cila sipas tij është e pandehur për 1.1 miliardë euro tenderime korruptive.
Bardhi shprehet se çështja “Balluku” nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një zinxhiri të tërë vendimmarrjeje, që sipas tij nis dhe mbyllet në zyrën e Kryeministrit. Ai akuzon Ramën se po përpiqet të blejë kohë dhe të ndërtojë alibi proceduriale për të shmangur përballjen me drejtësinë.
“Reagimi i sotëm i kryeministrit është reagimi i një frikacaku, që e di se rrethi po i ngushtohet. Një kryeministër i pastër nuk do të sulmonte SPAK-un, por do të kërkonte transparencë dhe do të lejonte drejtësinë të vepronte pa pengesa,” shprehet Bardhi.
Sipas tij, Rama po shmang thelbin e çështjes dhe po zhvendos vëmendjen drejt debateve proceduriale, sepse e di shumë mirë se kush janë porositësit realë të aferave korruptive të firmosura nga Balluku. Ai shton se hetimi nuk do të ndalet te ministrja, por do të shkojë më lart.
“Blerja e kohës është i vetmi shpëtim për një kryeministër nën shantazh dhe në panik. Një kryeministër i pafajshëm nuk ka frikë nga shpejtësia e drejtësisë,” thekson Bardhi.
Në përfundim, ai paralajmëron se drejtësia tashmë e di atë që sipas tij qytetarët e kanë kuptuar prej kohësh: se tenderat, koncesionet, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë të lidhura dhe të çojnë gjithmonë në të njëjtën adresë.
“Rrethi po ngushtohet,” përfundon Bardhi.
