“Bankë për Zhvillim apo Bankë për Klientelën? Alarm për kursimet e shqiptarëve dhe një skemë pa asnjë kontroll!”

Data

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për ngritjen e Bankës Kombëtare të Zhvillimit, duke paralajmëruar se ajo rrezikon të shndërrohet në një tjetër mekanizëm të rrezikshëm abuzimi me paratë publike.

Sipas saj, edhe pse në letër kjo bankë paraqitet si një nismë për zhvillimin ekonomik, realiteti fshihet pas një fasade të njohur tashmë për shqiptarët. Një skemë që ndjek të njëjtën logjikë si inceneratorët, PPP-të dhe tenderat publikë, ku fondet e qytetarëve përfundojnë në duart e një grushti njerëzish të lidhur me pushtetin.

Tabaku thekson se problemi nuk është ideja e një banke zhvillimi, por mënyra se si është ndërtuar ligjërisht. Sipas saj, arkitektura e kësaj banke është krijuar qëllimisht për të funksionuar “në hije”, pa mbikëqyrje dhe pa llogaridhënie reale.

Sipas ligjit të miratuar, Banka Kombëtare të Zhvillimit nuk mbikëqyret nga Banka e Shqipërisë, nuk i nënshtrohet kontrollit teknik të Kontrollit të Lartë të Shtetit për kreditë që jep dhe, më shqetësuesja, do të përdorë kursimet e qytetarëve të depozituara në Postë për t’ua dhënë si kredi klientëve të qeverisë.

“Me pak fjalë, kjo bankë nuk jep llogari askund, përveçse te zyra e kryeministrit,” nënvizon Tabaku.

Ajo sjell si krahasim modelet europiane, duke theksuar se në vendet serioze bankat e zhvillimit funksionojnë nën kontroll të rreptë institucional. Në Gjermani, çdo qindarkë monitorohet nga banka qendrore dhe parlamenti, ndërsa në Itali çdo investim kalon përmes filtrave të institucioneve të pavarura. Atje ekziston shteti ligjor, ndërsa në Shqipëri, sipas saj, sundon babëzia.

Tabaku paralajmëron se në asnjë vend serioz nuk ekziston një bankë që menaxhon para publike pa mekanizma kontrolli dhe pa frena institucionale. Në Shqipëri, sipas saj, këto frena janë hequr me qëllim për t’i hapur rrugë korrupsionit.

“Shqipëria nuk ka nevojë për një tjetër gropë financiare që i shërben një pakice klienteliste. Ka nevojë për institucione që mbrojnë djersën e qytetarëve, jo për një bankë që financon dështimet e radhës me kursimet e familjeve shqiptare,” shprehet ajo.

Në përfundim, deputetja e PD-së bën thirrje të drejtpërdrejtë:

“Ndalini duart nga paratë e shqiptarëve! Shqipëria nuk ka nevojë për bankën e pushtetit, por për drejtësi dhe një ekonomi që punon për të gjithë.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related