Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu pritet ta informojë presidentin amerikan Donald Trump se çdo përshpejtim i programit iranian të raketave balistike përbën një kërcënim serioz sigurie dhe mund të kërkojë reagim të menjëhershëm. Lajmi është bërë i ditur nga NBC News, duke iu referuar burimeve të njohura me zhvillimet diplomatike dhe ushtarake.
Sipas raportimit, zyrtarë të lartë izraelitë po shprehin shqetësim në rritje për faktin se Irani po rindërton dhe zgjeron kapacitetet e tij raketore, pavarësisht dëmeve të shkaktuara nga sulmet izraelite më herët gjatë këtij viti. Burime amerikane dhe izraelite bëjnë të ditur se Tel Avivi po përgatit skenarë të rinj ushtarakë dhe pritet t’ia paraqesë ato Trumpit si opsione të mundshme veprimi.
Izraeli dyshon gjithashtu se Teherani ka nisur përpjekje për të rindërtuar objekte të pasurimit bërthamor, të cilat u goditën nga sulmet amerikane në muajin qershor. Megjithatë, sipas të njëjtave burime, kërcënimi më urgjent vlerësohet të jetë rikthimi i kapaciteteve për prodhimin e raketave balistike dhe riparimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore të dëmtuara.
Donald Trump dhe Benjamin Netanyahu pritet të takohen në fund të muajit dhjetor në Florida, në rezidencën Mar-a-Lago. Gjatë këtij takimi, kryeministri izraelit pritet të theksojë se veprimet e Iranit përbëjnë rrezik jo vetëm për Izraelin, por edhe për stabilitetin rajonal dhe interesat strategjike të Shteteve të Bashkuara.
Sipas burimeve diplomatike, Netanyahu do të kërkojë që Uashingtoni të mbajë një qëndrim të ashpër ndaj Teheranit dhe mund të diskutojë mundësinë e mbështetjes amerikane për operacione të reja parandaluese.
I pyetur për takimin e planifikuar me Netanyahun, Trump deklaroi më herët se nuk ka ende një datë zyrtare, por konfirmoi se kryeministri izraelit ka shprehur interes për një takim. Nga ana izraelite, burime zyrtare bëjnë të ditur se takimi pritet të zhvillohet më 29 dhjetor.
