Një 40-vjeçar i dënuar me burg për dhunë në familje dhe ngacmim seksual ndaj dy vajzave të tij të mitura është arrestuar nga policia në zonën e Kukësit, pas shpalljes në kërkim.
Shtetasi me iniciale Q. D., banues në fshatin Mamëz, ishte dënuar nga Gjykata e Kukësit me 5 vite e 8 muaj burgim. Sipas autoriteteve, atij i kanë mbetur për vuajtje edhe 3 vite, 6 muaj e 3 ditë heqje lirie, për veprat penale të dhunës në familje, ngacmimit seksual dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit.
Burime zyrtare bëjnë me dije se rasti i tij kishte dalë në dritë në prill të vitit 2024, pasi bashkëshortja kishte bërë kallëzim për dhunë në familje, ndërsa gjatë hetimeve u ngritën dyshime edhe për ngacmim seksual ndaj dy vajzave të mitura të çiftit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të konsiderueshme mjetesh të rrezikshme, përfshirë kapsolla detonatore, fitilë zjarrpërcjellës, një granatë ofensive si dhe krëhera automatiku, duke rritur ndjeshëm rrezikshmërinë e rastit.
Policia bën me dije se materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa 40-vjeçari do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit në institucionet e vuajtjes së dënimit.
