Bardhi: PS po e shtyn shqyrtimin e imunitetit deri në shkurt, rrezik serioz për provat dhe dëshmitarët

Data

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike deklaroi se mazhoranca po tenton të zvarrisë shqyrtimin e kërkesës për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut deri në muajin shkurt, duke e konsideruar këtë veprim si një përpjekje të qëllimshme për të dëmtuar hetimin.

Sipas tij, në praktikën parlamentare të viteve të fundit, raste të ngjashme janë trajtuar brenda 48 deri në 72 orëve, ndërsa Prokuroria e Posaçme ka qenë e qartë se një afat prej 3 deri në 5 ditësh është mëse i mjaftueshëm për t’u njohur me materialet dhe për të vijuar procedurën.

Ai theksoi se zgjatja e afateve krijon një avantazh të padrejtë për deputeten e pandehur, duke rritur rrezikun e ndikimit mbi dëshmitarët dhe provat. Sipas tij, kërkesa e mazhorancës për të shtyrë mbledhjet, fillimisht për disa javë dhe më pas edhe me dy javë të tjera për hartimin e raportit, çon realisht shqyrtimin e çështjes deri në shkurt.

Deputeti demokrat e cilësoi këtë situatë si të paprecedentë dhe në kundërshtim me standardet e deritanishme parlamentare, duke shtuar se opozita ka kërkuar edhe mbledhjen e Kuvendit në një sesion të jashtëzakonshëm për ta trajtuar çështjen pa vonesa.

Sipas tij, vetë prokurorët kanë paralajmëruar se bëhet fjalë për një çështje të ngutshme dhe çdo shtyrje rrezikon seriozisht integritetin e hetimit. Megjithatë, mbledhja e sotme e Këshillit të Mandateve u shty pa një datë konkrete për rimbledhje, duke shtuar më tej tensionet politike rreth çështjes.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related