Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit është shoqëruar me debate të forta lidhur me provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Sipas burimeve nga mbledhja, përfaqësuesi ligjor i Ballukut ka kërkuar një afat prej tre javësh për t’u njohur me dosjen hetimore, duke argumentuar se materiali është i gjerë dhe kërkon kohë të mjaftueshme për shqyrtim të plotë dhe të detajuar.
Nga ana tjetër, prokurorët e SPAK kanë kundërshtuar këtë kërkesë, duke theksuar se një afat prej pesë ditësh është i mjaftueshëm për t’u njohur me aktet dhe provat e depozituara në Kuvend. Sipas tyre, kërkesa për tre javë shihet si përpjekje për zvarritjen e procesit.
Gjatë diskutimeve, SPAK ka sqaruar se USB-ja me provat dhe dokumentacionin hetimor mund të aksesohet vetëm nga anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, për shkak të sekretit hetimor. Ky qëndrim ka shkaktuar kundërshti nga opozita, e cila kërkon më shumë transparencë dhe mundësi për shqyrtim të plotë të materialeve.
Ndërkohë, mazhoranca ka kërkuar që asnjë material i sjellë nga SPAK të mos dalë jashtë sallës së mbledhjes, ndërsa përfaqësuesit e opozitës insistojnë që provat të mund të shqyrtohen edhe pas përfundimit të seancës.
Prokurorët kanë theksuar se anëtarët e Këshillit mund t’i marrin materialet për shqyrtim, por vetëm brenda rregullave të përcaktuara dhe pa cenuar sekretin hetimor.
Debati për afatet dhe aksesin në dosje vijon, ndërsa palët po diskutojnë edhe mundësinë e shtyrjes së mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, në një klimë të tensionuar politike dhe institucionale rreth çështjes së Ballukut.
