Tensione në Kryeministri: Balluku nuk lë zyrën për orë të tëra, Rama rikthehet dhe flet 15 minuta në makinë mes furtunës së SPAK

Data

Prej më shumë se katër orësh, zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin, vijon të qëndrojë në zyrën e saj në ambientet e Kryeministrisë.

Që nga përfundimi i mbledhjes së Këshillit të Ministrave, të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama, janë larguar nga godina qeveritare. Megjithatë, Balluku, e konsideruar numri dy i qeverisë, ka zgjedhur të qëndrojë ende brenda Kryeministrisë, në një moment kritik për fatin e saj politik dhe ligjor.

Situata është bërë edhe më e pazakontë pas rikthimit të kryeministrit Edi Rama në Kryeministri, disa orë pas largimit të tij. Kreu i qeverisë është parë jashtë godinës, ku ka qëndruar për rreth 15 minuta brenda në automjet, duke zhvilluar një bisedë telefonike, pa hyrë menjëherë në ambientet e brendshme.

Nuk dihet ende se me kë ka komunikuar Rama gjatë kësaj bisede telefonike, por rikthimi i tij në Kryeministri vjen në një kohë kur paralelisht, në Kryesinë e Kuvendit, po zhvillohet mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit. Ky këshill po shqyrton kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, çka do t’i hapte rrugë vendosjes së masave të reja të sigurisë ndaj saj.

Ndërsa proceset politike dhe ligjore vijojnë njëkohësisht në Kuvend dhe në Kryeministri, qëndrimi i gjatë i Ballukut në zyrë dhe rikthimi i Ramës kanë shtuar tensionin dhe pikëpyetjet mbi zhvillimet e ardhshme, në një ditë që pritet të ketë pasoja të forta në skenën politike shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related