“Një pjesë në polici s’do ta donte Smart City” – Rama: Makina e policisë s’përdoret për punë personale, s’ka më ndalesa te restorantet me uniformë

Data

Kryeministri Edi Rama u shpreh kritik ndaj kundërshtive të brendshme që, sipas tij, ekzistojnë në Policinë e Shtetit ndaj projektit “Smart City”, i cili parashikon monitorimin e territorit përmes kamerave inteligjente. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se është e kuptueshme që një pjesë e strukturave policore nuk e dëshiron këtë projekt, pasi ai do të bëjë të pamundura shumë praktika abuzive që sot përbëjnë shqetësim për drejtuesit e policisë, qeverinë dhe qytetarët.

Sipas kryeministrit, vonesat në zbatimin e projektit lidhen pikërisht me rezistencën ndaj një sistemi që rrit transparencën dhe kontrollin. Ai theksoi se “Smart City” do të vendosë çdo veprim të mjeteve dhe punonjësve të policisë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga drejtuesit përkatës.

Rama u ndal te shembuj konkretë, duke deklaruar se me këtë sistem do të jetë e pamundur që një makinë policie të përdoret për punë personale apo të parkohet pranë banesave private. Po ashtu, sipas tij, nuk do të ketë më raste kur automjetet e policisë ndalojnë para restoranteve dhe punonjësit hyjnë për të ngrënë drekë me uniformë.

Kryeministri shtoi se ata që përpiqen të shtyjnë ose të pengojnë zbatimin e këtij projekti e dinë më mirë se kushdo tjetër se sa abuzime dhe “hile të poshtra” mund të kryhen sot, duke njollosur imazhin e Policisë së Shtetit. Sipas Ramës, “Smart City” është një projekt që në thelb ndihmon policët e ndershëm dhe forcon besimin e qytetarëve te ligji dhe rendi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related