Andi Tepelena: Ligji i artit rishikim sipas politikave kulturore të BE, për skenën e pavarur MEKI të rrisë buxhetin

Data

Skena e pavarur kulturore zhvillon aktivitete të ndryshme që bëhen pjesë e jetës artistike në vend, por buxhetet e pakta vazhdojnë të jenë shqetësuese për artistët. Përmirësimi i politikave kulturore është një domosdoshmëri për artistët në vend dhe sipas tyre reformimi i infrastrukturës ligjore apo miratimi i statusit të artistit duhet të jetë në prioritetet e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Aktivist i skenës së pavarur dhe kurator arti Andi Tepelena thotë se këto probleme i ka shprehur dhe në konferencën “Drejt politikave kulturore novatore”, ku u diskutua për strategjitë për të përmirësuar sektorin kulturor në vend. Tepelena thotë se buxhetet për skenën e pavarur kulturore në vendin tonë duhet që të rriten nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. “Një pyetje i bëra në konferencë përfaqësuesit nga Kosova, i cili ishte në krah të zëvendësministres tonë Lira Pipa. Sa është buxheti i Ministrisë së Kulturës në Kosovë dhe posaçërisht për sektorin e pavarur? Përgjigja ishte: rreth 60 milionë euro buxheti për kulturën, 10 milionë për sektorin e pavarur. Mjaftojnë këto shifra për ta nxjerrë në pah vullnetin politik për të mbështetur artin dhe kulturën. Në Shqipëri MEKI duhet të rrisë buxhetin për skenën e pavarur”, thotë Andi Tepelena, që dhe më parë ka reaguar për problemet që janë në jetën artistike dhe kulturore. Një tjetër problem shqetësues për kuratorin e artit Andi Tepelena është dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e autorit në vendin tonë. “Ligji për të drejtën e autorit tek ne është i pazbatueshëm, një shqetësim që e kemi ngritur disa herë. Është një xhungël dhe nuk po gjen zbatim që të përfitojnë artistët”, thotë Andi Tepelena ndër të tjera.

Përmirësimet ligjore

Përmirësimet e ligjit të artit Nr. 10 352 të vitit 2010, për Andi Tepelenën duhet të jenë sipas politikave kulturore të BE-së, por vëmendje duhet treguar dhe për artistët e rinj. Aktivist i skenës së pavarur dhe kurator arti Andi Tepelena gjithashtu thotë se duhet treguar vëmendje nga institucionet dhe për statusin artistit në vendin tonë, që ende nuk ka gjetur miratim. “Duhet rishikuar ligji i artit sipas politikave kulturore të BE-së për kulturën. Duhet punuar për statusin e artistit, duke marrë modelet më të mira sipas kushteve specifike tona. Krahas kësaj siç e shpreha më shume fonde nga MEKI për skenën e pavarur dhe mobilitetin e artistëve të rinj”, shprehet Tepelena. Për kuratorin e artit Andi Tepelena që dhe më parë ka shprehur vërejtje për politikat e MEKI-t takimet me grupet e interesit dhe artistët duhet të vijojnë për përmirësimin e kuadrit ligjor. Sipas tij edhe buxhetet nga MEKI duhet që të formulohen sipas nevojave të çdo sektori bazuar në konsultimet që duhet të vijojnë. “MEKI duhet që të dëgjojë artistët mbi të gjitha dhe jo vetëm disa OJF. Duhet që të organizojë takime periodike me artistë të kategorive të ndryshme dhe të formulojë buxhetet sipas nevojave të çdo sektori bazuar në konsultime me artistët dhe profesionistët” thotë ai. Andi Tepelena aktivist i SPK-së dhe kurator arti më herët ka shprehur se MEKI duhet të jetë gjithashtu më transparente me buxhetet, si dhe të ketë objektiva më të qarta.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related