Debati për imunitetin e Belinda Ballukut ka dalë jashtë mureve të Kuvendit. Teksa Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit po diskuton kërkesën e SPAK, kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka protestuar para Kryesisë së Kuvendit duke denoncuar atë që e quan tentativë për censurë dhe fshehje informacioni.
Në një deklaratë të fortë për mediat, Shehaj tha se mbledhja nuk mund dhe nuk duhet të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke akuzuar mazhorancën se po përpiqet të mbajë larg opinionin publik nga përmbajtja e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme ndaj zëvendëskryeministres së pandehur.
“Duan të mbajnë fshehur kërkesën e prokurorisë. Është një tentativë për të censuruar çdo informacion për Ballukun,” u shpreh Shehaj.
Ai akuzoi drejtpërdrejt kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, se ka kërkuar zhvillimin e mbledhjes me dyer të mbyllura, ndërsa theksoi se në raste të ngjashme më parë, edhe me kërkesë të SPAK, mbledhjet janë zhvilluar me dyer të hapura.
Shehaj deklaroi gjithashtu se ka bërë kërkesë formale për të qenë i pranishëm në Këshillin e Mandateve si deputet, edhe pse jo anëtar, por sipas tij, kërkesa po bllokohet nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.
“Kam bërë kërkesë që të jem pjesë e këshillit, por Peleshi as nuk e hedh në votim. Është e qartë që është vendosur të mbyllet gjithçka dhe sa më pak njerëz të marrin vesh se çfarë përmban kërkesa e SPAK,” tha ai.
Sipas Shehajt, përpjekja për ta zhvilluar mbledhjen në fshehtësi është shenjë paniku dhe fundi politik për mazhorancën, ndërsa kërkoi transparencë të plotë në një çështje që, sipas tij, prek drejtpërdrejt besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe institucionet.
Ndërkohë, vendimi i Këshillit të Mandateve për imunitetin e Belinda Ballukut pritet me interes të jashtëzakonshëm publik, duke u parë si një test kyç për transparencën parlamentare dhe pavarësinë e drejtësisë.
