SPAK kërkon arrestimin, Balluku shfaqet në Kryeministri: Momentet kur zv/kryeministrja futet duke folur në telefon mes presionit të drejtësisë

Data

Teksa Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar zyrtarisht heqjen e imunitetit për t’i hapur rrugë arrestimit, Belinda Balluku është parë mëngjesin e sotëm të hyjë në ambientet e Kryeministrisë, në një moment kritik për fatin e saj politik dhe penal.

Pamjet e siguruara tregojnë zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës teksa zbret nga automjeti, duke folur në telefon, dhe më pas futet në Kryeministri, ku kryeministri Edi Rama ka mbledhur Këshillin e Ministrave. Prania e saj vjen në të njëjtën kohë kur në Kuvend po zhvillohen procedurat për shqyrtimin e kërkesës së SPAK.

Ndërkohë, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin është mbledhur ditën e sotme (19 dhjetor) për të analizuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit parlamentar dhe autorizimin e arrestimit të Belinda Ballukut. Ky hap procedural është vendimtar, pasi mund të çojë në masa të rënda sigurie, si “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”.

Çfarë parashikon procedura?

Sipas neneve 118 dhe 119 të Rregullores së Kuvendit, kërkesa e SPAK i përcillet Kryetarit të Kuvendit dhe më pas shqyrtohet nga Këshilli i Mandateve. Deputeti përkatës ka të drejtë të paraqesë shpjegime, personalisht ose përmes avokatit.

Brenda dy javëve, Këshilli duhet të hartojë një raport që i paraqitet seancës plenare, ku Kuvendi vendos me votim të hapur dhënien ose jo të autorizimit për masën e sigurisë. Nëse Kuvendi nuk vendos brenda tre muajve, kërkesa konsiderohet e rrëzuar.

Akuzat ndaj Ballukut

SPAK njofton se Belinda Balluku është marrë e pandehur për veprën penale:

“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, lidhur me procedurën e prokurimit për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.

Po ashtu, ajo është nën hetim edhe për shtatë procedura të tjera prokurimi, që lidhen me projekte madhore infrastrukturore, përfshirë segmentet e Unazës së Jashtme të Tiranës dhe zonën Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri.

Ndërsa drejtësia dhe politika ecin paralelisht në orët më vendimtare, vëmendja publike është e përqendruar tek vendimi i Kuvendit, i cili mund të shënojë një nga momentet më të forta të përplasjes mes pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related