Balluku nuk shfaqet në Apelin e GJKKO! Zv.kryeministrja përfaqësohet nga avokatët, në gjykatë paraqiten dy vartësit nën “arrest shtëpie”

Data

Zhvillohet sot në Apelin e Gjykatës së Posaçme seanca gjyqësore lidhur me Belinda Ballukun, e cila ka ankimuar masat e sigurisë të vendosura ndaj saj nga GJKKO, konkretisht pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit.

Zv.kryeministrja nuk është paraqitur personalisht në seancë, por është përfaqësuar nga dy avokatët e saj, ndërsa në ambientet e gjykatës kanë mbërritur dy bashkëpunëtorët e saj të ngushtë, drejtori i KESH-it Erald Elezi dhe kreu i ARRSH-së Gentian Gjyli, të cilët ndodhen nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Të dy janë shoqëruar nga përfaqësuesit e tyre ligjorë.

Ankimi i Ballukut, Elezit dhe Gjylit po shqyrtohet nga gjyqtarja e Apelit të GJKKO-së, Miliana Muça.

Belinda Balluku përballet me akuza të rënda për shkelje të barazisë në tendera, lidhur me procedurën e prokurimit për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, një projekt me vlerë rreth 210 milionë euro, si dhe për shtatë lote të Unazës së Madhe të Tiranës, ku janë prokuruar rreth 450 milionë euro.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar zyrtarisht nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Ballukut, me qëllim arrestimin e saj. SPAK bën me dije se zv.kryeministrja është marrë e pandehur për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me tenderin e Tunelit të Llogarasë.

Paralelisht, Balluku është gjithashtu person nën hetim për të njëjtën vepër penale në shtatë procedura të tjera prokurimi, që lidhen me projektet e Unazës së Madhe dhe segmentet rrugore Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri – Shkozë.

Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar se në tenderin për Tunelin e Llogarasë, me fond limit mbi 18.9 miliardë lekë pa TVSH, Balluku ka ndjekur dhe orientuar procedurën e prokurimit në mënyrë të paligjshme, që nga faza përgatitore deri në lidhjen e kontratës me operatorin fitues.

Në bashkëpunim me Evis Berberin, Gentian Gjylin, Erald Elezin dhe zyrtarë të tjerë, sipas organit të akuzës, është paracaktuar fituesi i tenderit dhe janë krijuar avantazhe të padrejta për operatorët ekonomikë të shpallur fitues.

SPAK thekson se e njëjta skemë është ndjekur edhe në tenderin e Lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, zhvilluar nga ARRSH në vitin 2021, me fond limit rreth 2 miliardë lekë pa TVSH.

Seanca e sotme në Apelin e GJKKO-së konsiderohet kyçe për fatin penal të zv.kryeministres dhe vartësve të saj, ndërsa vendimi i gjykatës pritet të japë një sinjal të fortë mbi vijimin e hetimeve dhe masat e mëtejshme të sigurisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related