Tensionet e forta politike nuk kanë mbetur vetëm brenda sallës plenare, por janë shoqëruar edhe me një situatë alarmante jashtë ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë.
Paraditen e sotme, jashtë godinës së parlamentit është vërejtur zjarr dhe tym, pasi fibra e transmetimit është përfshirë nga flakët, duke krijuar shqetësim për sigurinë dhe funksionimin normal të institucioneve.
Sipas pamjeve nga vendngjarja, zjarri ka rënë në zonën përreth Kuvendit, ndërsa punonjësit e administratës kanë ndërhyrë menjëherë, duke bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme.
Ndërkohë, situata është reflektuar edhe brenda sallës plenare. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, iu drejtua kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke e paralajmëruar për ngjarjen jashtë godinës.
“Ju ka marrë zjarr godina jashtë”, u shpreh Bardhi mes zhurmës dhe kaosit në sallë.
Ngjarja vjen në një ditë të mbushur me tensione ekstreme politike, ku deputetët e opozitës kanë bllokuar seancën parlamentare, kanë zënë karriget e ministrave dhe kanë ndezur flakadanë në sallë, në shenjë proteste ndaj skandaleve të fundit qeveritare.
Ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi shkaqet e zjarrit, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë nëse bëhet fjalë për një incident teknik apo një ngjarje të qëllimshme.
