FOTO + EMRI / Ekzekutohet me armë zjarri futbollisti i kombëtares së Ekuadorit, atentat mafioz në Guayaquil

Data

Një ngjarje tronditëse ka goditur botën e futbollit. Mario Pineida, futbollist i kombëtares së Ekuadorit, është ekzekutuar me armë zjarri në qytetin portual Guayaquil, zonë e njohur për dhunën e lidhur me bandat e drogës.

Sipas mediave vendase, Pineida u qëllua për vdekje mbrëmjen e së mërkurës nga dy persona që lëviznin me motoçikletë, të cilët i zunë pritë dhe hapën zjarr ndaj tij. Gjatë sulmit u plagosën edhe nëna e futbollistit si dhe një grua tjetër që ndodheshin me të në momentin e atentatit.

Klubi i tij, Barcelona SC, konfirmoi zyrtarisht lajmin përmes një postimi në rrjetin social X, duke shprehur dhimbjen për humbjen e futbollistit:

“Me keqardhje të thellë njoftojmë se kemi marrë konfirmimin zyrtar për vdekjen e lojtarit tonë Mario Pineida, pas një sulmi të armatosur të ndodhur në Guayaquil.”

Mario Pineida, 33 vjeç, ka qenë pjesë e ekipit kombëtar të Ekuadorit në Kupat e Botës 2018 dhe 2022, ndërsa në karrierën e tij ka luajtur edhe për klubin brazilian Fluminense në vitin 2022.

Ministria e Brendshme e Ekuadorit ka konfirmuar vdekjen e futbollistit dhe ka bërë të ditur se një njësi speciale e policisë është angazhuar për hetimin e atentatit. Deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa autoritetet po hetojnë nëse ngjarja lidhet me kriminalitetin e organizuar që ka përfshirë vendin.

Vrasja e Pineidës ka shkaktuar tronditje të madhe në opinionin publik, ndërsa dhuna e bandave vijon të marrë jetë edhe jashtë botës së krimit, duke prekur figura publike dhe sportistë të njohur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related