Dosja “21 Janari”/ Ilir Meta merret sot në pyetje nga SPAK, ishte vetë ai që kërkoi të dëshmonte

Data

Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, do të merret sot në pyetje nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të hetimeve për ngjarjet e 21 janarit 2011.

Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë, është thirrur nga prokurorët e posaçëm për të dhënë dëshminë e tij në orën 10:00, pasi ishte vetë ai që disa javë më parë kërkoi zyrtarisht të dëshmonte për këtë dosje.

Në shkresën e dorëzuar në SPAK, Meta shprehej se disponon informacione të rëndësishme që, sipas tij, nuk janë njohur më parë nga organi procedues dhe mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike ku humbën jetën katër qytetarë gjatë protestës para Kryeministrisë.

“Unë, Ilir Rexhep Metaj, duke qenë se kam dijeni dhe mund të jap dëshmi të vlefshme për rrethanat e asaj ngjarjeje, dëshmi të cilat nuk janë të njohura nga organi procedues dhe që mund t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes, jam në dispozicion të organit të procedurës në çdo moment që ajo do jetë e gatshme”, thuhej në kërkesën e tij drejtuar SPAK.

Prej më shumë se një viti, ish-kreu i shtetit ndodhet në paraburgim, ndërsa përballet me disa akuza të ngritura nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve të tjera penale.

Në kuadër të hetimeve për demonstratën e 21 janarit 2011, SPAK ka marrë më herët në pyetje edhe figura të tjera të larta politike të asaj kohe, mes tyre Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Bamir Topi.

Hetimet për këtë dosje vijojnë, ndërsa pritet të shihet nëse dëshmia e Metës do të sjellë zhvillime të reja në një nga çështjet më të rënda të historisë politike të pas vitit 1990.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related