Një 30-vjeçar është vetëdorëzuar në polici në Kalamata, lidhur me vrasjen e dyfishtë të ndodhur në fillim të tetorit në Finikounda, ku u ekzekutuan pronari grek i një kampingu dhe miku i tij shqiptar.
Sipas medias greke protothema.gr, ndaj 30-vjeçarit ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, ndërsa ai dyshohet për bashkëpunim në kryerjen e krimit. Autoritetet greke e kishin shpallur në kërkim prej disa javësh, duke e konsideruar një hallkë kyçe në zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ky është arrestimi i pestë në kuadër të hetimeve për vrasjen e dyfishtë. Vetëm pak ditë më parë, policia arrestoi nipin e viktimës 68-vjeçare, pronarit të kampingut, si dhe një biznesmen nga Athina, mik i tij dhe bashkëmenaxher i aktivitetit. Të dy akuzohen për nxitje të krimit.
Sipas hetimeve, 30-vjeçari i vetëdorëzuar dyshohet se ka vepruar në bashkëpunim me biznesmenin e arrestuar, me të cilin kishte lidhje të ngushta shoqërore. Autoritetet po hetojnë rolin konkret të secilit në organizimin dhe realizimin e vrasjes.
Mohime dhe pretendime për pafajësi
Nipi i viktimës, në deklaratat e dhëna para hetuesve, ka mohuar çdo përfshirje direkte në krim, duke pretenduar se ishte vetëm dëshmitar i rrethanave dhe se ka bashkëpunuar me autoritetet që nga momenti i parë.
Edhe biznesmeni nga Athina ka këmbëngulur në pafajësinë e tij, duke e cilësuar arrestimin si të padrejtë dhe duke deklaruar se nuk ka pasur asnjë rol në vrasjen e dyfishtë.
Hetimet vijojnë për të zbardhur motivacionin, skemën e bashkëpunimit dhe përgjegjësitë penale të secilit të përfshirë në një nga ngjarjet më të rënda kriminale të muajve të fundit në Greqi.
