Berisha: Rama po përdor pushtetin e krimit për të asgjësuar drejtësinë, i themi “Guxo”

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar maksimalisht tonet ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, duke e akuzuar se po përdor gjithë pushtetin e tij për të minuar dhe asgjësuar drejtësinë, pas kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Berisha deklaroi se Rama po vepron si një lider i kapur në flagrancë dhe se është i aftë të shkojë deri në grusht shteti institucional për të shpëtuar veten dhe bashkëpunëtorët e tij nga drejtësia.

“Edi Rama është i aftë për grusht shteti. Është i aftë të asgjësojë drejtësinë vetëm që të mbrojë veten dhe organizatën e tij kriminale”, u shpreh Berisha.

Akuzat për ndërhyrje në drejtësi dhe bllokim arrestimesh

Sipas kreut të PD-së, Rama po përdor të gjitha levat e pushtetit për të penguar arrestimin e Belinda Ballukut, duke e kthyer konfliktin me drejtësinë në një betejë për mbijetesë politike.

“Tani që është kapur në flagrancë, po përdor pushtetin e krimit për t’u mbrojtur. Njeriu që dilte nga ekrani në ekran me hekura në duar dhe kërkonte arrestimin e kundërshtarëve, sot dridhet nga drejtësia”, tha Berisha.

“Rama kërkonte përçarje brenda opozitës”

Berisha theksoi se pas zgjedhjeve, Rama po kërkonte me çdo kusht një çarje brenda kampit opozitar, për t’ua servirur ndërkombëtarëve si justifikim për farsën elektorale.

“Ai kërkonte me qiri një alibi, një konflikt brenda nesh, për të justifikuar farsën. Nuk ia dhamë këtë mundësi. Ne kishim përparësi absolute mbrojtjen e votës”, deklaroi ai.

Sipas Berishës, opozita e përmbushi këtë mision, duke faktuar manipulimet elektorale para komunitetit ndërkombëtar.

Referenca ndaj raportit të OSBE/ODIHR

Kreu i PD-së iu referua drejtpërdrejt raportit të OSBE/ODIHR, duke thënë se ai konfirmon plotësisht denoncimet e opozitës për përdorimin e shtetit në zgjedhje.

“Raporti i OSBE/ODIHR e konfirmon: zgjedhjet u zhvilluan nga partia-shtet. Rekomandimi kryesor është i qartë: Shqipëria duhet të ndajë partinë nga shteti”, theksoi Berisha.

Ai akuzoi Ramën edhe për presione ndaj diplomatëve dhe lobime të shtrenjta korruptive për të zbutur raportin ndërkombëtar.

“Kjo është diktaturë që shtyp pluralizmin”

Berisha e cilësoi situatën politike në vend si diktaturë funksionale, që përdor institucionet për të shtypur pluralizmin politik.

“Kjo është një diktaturë që përdor institucionet për të shtypur pluralizmin. Këtë e provojnë shtatë rezoluta ndërkombëtare”, deklaroi ai.

Mesazh i drejtpërdrejtë për Ramën: “Guxo”

Në fund të fjalës së tij, Berisha dha një mesazh të drejtpërdrejtë dhe sfidues për kryeministrin.

“I themi: Guxo. Ne do bëjmë gjithçka, nuk do lëmë asnjë cep të këtij vendi pa reaguar, nëse përpiqesh të marrësh pushtetin e drejtësisë”, tha Berisha, duke shtuar se Partia Demokratike do të përgatitet për një përballje të fortë politike dhe qytetare.

“Tani është radha jonë, është ora jonë. Nuk mund të lejojmë një hajdut, një bandit, një njeri që u ka bërë shqiptarëve më shumë dëm se çdo pushtues tjetër”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related