Partia Demokratike mblodhi sot Këshillin Kombëtar, ku në qendër të diskutimeve ishin zgjedhjet e 11 majit, protesta kombëtare e 22 dhjetorit dhe zhvillimet e fundit politike pas skandaleve që përfshijnë zv/kryeministren Belinda Balluku.
Fjalën hapëse e mbajti kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili u ndal gjerësisht te ajo që e cilësoi si “farsë elektorale të paprecedentë”, duke theksuar se zgjedhjet nuk u fituan nga Edi Rama, por u imponuan përmes parave publike, administratës shtetërore dhe bandave kriminale.
“Ja çfarë u them atyre që mendojnë ndryshe: kur shteti përdor gjithë pushtetin e tij për të manipuluar vullnetin e qytetarëve, nuk kemi zgjedhje, por farsë”, deklaroi Berisha.
“2 miliardë euro për të blerë votën”
Kreu i opozitës renditi një sërë faktorësh që, sipas tij, e bënë procesin zgjedhor të pavlefshëm. Ai theksoi se vetëm dy ditë para zgjedhjeve, qeveria fali rreth 2 miliardë euro detyrime dhe kamata për bizneset, duke e cilësuar këtë si blerje masive vote.
“Nëse qeveria u shpërndan 65% të zgjedhësve 100 euro bonus, nëse fal 2 miliardë euro borxhe dhe kamata pak ditë para votimit, këto nuk janë zgjedhje, por farsë e pastër”, u shpreh Berisha.
Administrata dhe kanabisi si instrument elektoral
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se përdori administratën shtetërore si agjentë elektoralë dhe se licencoi mbjelljen e 28 mijë hektarëve kanabis, shumëfish më tepër se parashikon ligji, pikërisht në prag të zgjedhjeve.
“Nëse administrata, mjetet shtetërore dhe fuqia ekzekutive përdoren për vota, atëherë demokracia është asgjësuar”, theksoi ai.
Akuzat për përfshirjen e bandave kriminale
Një nga pikat më të forta të fjalimit ishte akuzimi i drejtpërdrejtë i kryeministrit Rama për bashkëpunim me grupe kriminale.
“Nëse përdoren bandat më të rrezikshme të Evropës – Troplinët, Bajrat, Çelët, Xhabaftët – për të terrorizuar qytetarët dhe për të kontrolluar votën, atëherë zgjedhjet janë të vdekura”, deklaroi Berisha, duke shtuar se Rama “s’i fitoi kurrë zgjedhjet”.
“Ne s’mund të përdorim paratë, bandat dhe shtetin”
Berisha theksoi se opozita nuk mund të konkurrojë me një regjim që përdor mjete kriminale dhe shtetërore për të qëndruar në pushtet.
“Ne jemi opozitë dhe nuk mund të blejmë vota, nuk përdorim bandat dhe as shtetin për terror. Ndaj e kam thënë dhe do ta them: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira”, përfundoi ai.
Në fund të fjalës së tij, Berisha bëri thirrje për mobilizim maksimal të qytetarëve në protestën e 22 dhjetorit, duke e cilësuar atë si hap vendimtar kundër asaj që e quajti “regjim i farsës dhe korrupsionit”.
